VV: Indeksonline nis fushatë linçimi ndaj Albulena Haxhiut
Vetëvendosje ka thënë se zonja Haxhiu, aktiviste dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje!, dje dhe sot ka qenë cak i shpifjeve të ulëta nga portali indeksonline.
\"Këto shpifje synojnë të cenojnë gjininë e saj, dhe përpiqen të bëjnë me turp trupin e gruas, për shkak se ajo është opozitare. Diskriminimi gjinor në këtë rast është i dyfishtë, mentaliteti linçues patriarkal i Faton Shoshit dhe eprorëve e vartësve të tij e sulmon znj. Albulena Haxhiu së pari si grua, e mandej edhe si grua që ka guxuar të merret me politikë në opozitë ndaj pushtetit të këtyre burrave të pushtetshëm servilë e të korruptuar.\"
\"Portali i Faton Shoshit, i cili ka marrë edhe dekorata nga Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, menjëherë pas sulmit brutal policor që shkaktoi lëndime të rënda e humbje ndjenjash të Albulena Haxhiut publikoi \"kryelajme\" të pafytyra e të pavërteta\", thekson VV.
Fillimisht, në mesditën e të premtes ata publikuan një \"lajm kryesor\", sipas të cilit Albulena Haxhiut \"i është gjetur bombola e gazit në organin gjenital femëror\".
Injoranca dhe urrejtja gjinore që sipas Vetëvendosjes fshihej pas këtyre fjalëve menjëherë gjeti jehonë në portale të tjera, ndër të cilët veçojmë parrotlla. com dhe botapress.info.
\"Pas rreth një ore, të vetëdijshëm për mundësinë e lehtë të demantimit nga mjekët profesionistë që kanë mbajtur nën përkujdesje Albulena Haxhiun në QKUK, indeksonline e \"redakton\" lajmin (sigurisht pa njoftuar asnjë lexues për redaktimin, sepse ky lloj i medias linçuese e dhunuese nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ndaj lexuesit, apo ndaj subjektit të trajtuar). Në versionin e dytë të lajmit, u ndryshua togfjalëshi \"në organin gjenital femëror\" me \"në pjesën të ndjeshme të trupit\". Vijon të mbetet gjuha diskriminuese gjinore, si edhe shpifja, e cila bëhet edhe më e poshtër kur lihet \"të nënkuptohet\"\", thekson me tutje VV.
Të shtunën, indeksonline publikoi një grafi rëntgeni, dhe sipas këtij portali kjo ishte fotografia e bombolës së gazit në mitrën e zonjës Haxhiu.
Falë kontributit të shumë qytetarëve në rrjete sociale, menjëherë u zbulua se grafia e publikuar nga indeksonline jo vetëm që nuk ka lidhje me Albulena Haxhiun, por ka qenë e botuar në mars të vitit 2015 nga një media britanike, dhe bëhet fjalë për dorën e një fetusi në Britani, që duket sikur ka bërë shenjën V të fitores.
\"Kjo prirje e shpifjeve linçuese ndaj opozitës, e sidomos ndaj grave e vajzave të përfshira në të, i përmban të gjitha të këqijat e patriarkalizmit injorant, brutal, dhunues e kriminal që përfaqëson mentaliteti i vjetër që qeveris sot Kosovën, bashkë me shërbëtorët e tyre. Para disa ditësh, disa media nisën një fushatë shpifjesh që synonte znj. Rita Augenstad Knudsen, bashkëshorten e deputetit Albin Kurti. Edhe ajo fushatë shpifjesh u përgënjeshtrua shpejt, por vetëm pasi prishi qetësinë familjare të personave të shndërruar në objekt\", thekson VV.
VV i bën thirrje të gjitha instancave të drejtësisë të marrin masa për këtë fushatë linçuese e për këtë diskriminim gjinor të bërë publikisht. Po ashtu i bëjmë thirrje medieve profesionale dhe gazetarëve profesionistë e të ndërgjegjshëm të distancohen menjëherë nga këto akte të turpshme. Kërkojmë nga shoqatat e të drejtave të njeriut e nga shoqatat e të drejtave të grave të ngrenë zërin për këtë çështje. Po ashtu presim të shprehen autoritetet publike, që shpesh flasin për të drejta të gruas e për luftën kundër diskriminimin gjinor.
\"Ne edhe kësaj radhe do të përgatisim padinë tonë kundër Indeksonline dhe mediave të tjera të përfshira në linçime e shpifje, por fatkeqësisht konstatojmë se reagimi i drejtësisë në këtë drejtim është shumë i ngadaltë, ose i munguar. Qytetarët e Kosovës, e sidomos gratë, mbeten cak i lehtë për cilindo rrugaç apo kriminel që zotëron një media.\"
\"Ne si Lëvizje Vetëvendosje! jemi të përkushtuar dhe të vendosur që të mos lejojmë vazhdimin e kësaj situate\", thuhet në fund te njoftimi të VV.