VV: Gjykimi special i Ditës së Çlirimit
Prishtinë, 12 qershor - Pas njoftimit për agjendën e seancës së sotme plenare, kryetari i Kuvendit ka refuzuar që të lejojë grupet parlamentare të flasin. Deputetët janë përfaqësues të qytetarëve dhe është e padrejtë të organizohen seanca ku deputetëve nuk u jepet fjala.
Liria e mendimit dhe e shprehjes janë të padiskutueshme e të panegociueshme, por ky njeri që u instalua si kryetar Kuvendi ose nuk e din ose nuk do tia dijë për këtë.
Në anën tjetër, dihet që secila komunë e Kosovës e shënon ditën e vet të çlirimit, por ja që Kosova si shtet nuk e ka një ditë të tillë. 12 qershori quhet e shënohet si ditë e paqes dhe jo e çlirimit. Teksa edhe sot e kësaj dite njerëzit debatojnë nëse njëmend u bë çlirimi më 12 qershor pasi që dihet se pikërisht në atë kohë u nda Mitrovica, është plotësisht e sigurt se ajo ditë nuk ishte fare paqësore. Mbi të gjitha, paqja pa çlirim është padrejtësi e vazhduar.
Është esenciale që Kuvendi të mos monopolizohet. Sepse ne do ta tregonim edhe atë anën e vërtetë të Kosovës në atë seancë. Ne do të tregonim që dy procese të rëndësishme janë duke e pritur Kosovën: Gjykata Speciale dhe zajednica serbe.
Gjykata Speciale do ta gjykojë pikërisht këtë çlirimin tonë të 12 qershorit. Pushtetarët po mundohen përmes aktiviteteve simbolike të tregojnë se po e festojnë 12 qershorin, përderisa po i krijojnë të gjitha kushtet që 12 qershori të jetë i gjykuar në histori, si një datë ku disa njerëz e kanë lirinë e vetë për shkak se kanë bërë krime kundër njerëzimit. Përderisa thonë se po e festojnë çlirimin e Kosovës, dhe se janë meritorë e bartës të këtij çlirimi, pushtetarët po i përgatisin kushtet për ndarjen etnike të Kosovës përmes zajednicës.
#
Institucionet dhe historia duhet të jenë të ndërlidhura ngushtë. Në Kosovë këto janë të ndara gjerësisht. Shteti i Kosovës duhet ta ketë ditën e vet të çlirimit. Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës duhet të ketë fjalë të lirë, debat të hapur dhe vendime demokratike.
Prandaj, është e padrejtë dhe e padobishme kjo seancë në të cilën kryetari i Kuvendit i cili simulon dirigjentin kërkon prej deputetëve që të simulojnë spektatorët. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i AAK-së, dhe i NISMA-s nuk do të marrin pjesë në këtë ceremoni. Ne ua urojnë qytetarëve të Kosovës përvjetorin e 16-të të çlirimit të Kosovës duke theksuar se pa Mitrovicë të bashkuar dhe pa punësim për qytetarët, pavarësia e paqja mbeten në letër.