VV: EULEX ia mësyn gjithkujt përveç kreut të korrupsionit e krimit
Prishtinë, 24 maj - Lëvizja Vetëvendosje! vlerëson se në vazhdimësi e ka kundërshtuar dhe kontestuar EULEX-in si një mision jodemokratik i cili nuk u jep llogari as popullsisë dhe as institucioneve vendëse mbi të cilët ka dhe ushtron fuqi ekzekutive të pakufizuara në kohë dhe gamë, ndërkohë që zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet prej ligjit në Kosovë.
\"Kur kësaj ia shtojmë faktin që EULEX-i nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e shtetit tonë, UÇK-në e luftën tonë çlirimtare, nuk kemi si të besojmë a shpresojmë që ai mund të ndajë drejtësi\", Vetëvendosje.
Akuzat e burgosjet e fundit të ish pjesëtarëve të UÇK-së sipas kësaj Levizje nuk janë të parat e as të fundit. Statusi, misioni, qëndrimi dhe qasja e EULEX-it ndaj vendit, popullit e historisë sonë edhe s\'mund të prodhojnë diçka tjetër edhe detyrimisht e politizojnë gjyqësinë dhe drejtësinë.
Sundimin e ligjit EULEX-i e sheh nga pikëvështrimi i stabilitetit afatshkurtër politik dhe sigurisë së rendit ekzistues e jo nga ideja e motivi për drejtësi për qytetarët e për të drejtat e qytetarëve.
\"Kjo edhe është arsyeja që premtimet e EULEX-it për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë janë përherë të kota. Jemi mësuar tashmë me këtë orientim të EULEX-it që mësyn gjithkë përveç kreut të korrupsionit e krimit (i cili gjithsesi është qeveritar) pikërisht që të mos prek vetë majat e krimit\", theksoi Vetëvendosje.
Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron këtë luftë as si histori e lavdishme, as si koncept politik e vizion kombëtar, dhe as pjesëtarët e saj. Përkundrazi, Kryeministri i Kosovës merret vesh me Kryeministrin e Serbisë për Autonominë e serbëve brenda Kosovës që do të dirigjohet nga Serbia me ç\'rast kriminelët e strukturave paralele të Serbisë do të amnistohen e integrohen në kuadër të sistemit e institucioneve tona.
Në këtë udhë pa krye, Kryeministrit të Kosovës s\'ka se si të mos i pengojë UÇK-ja dhe gjithçka që ajo shënon e kujton.
Askush nuk bën të fshihet prapa emrit të UÇK-së për asnjë çështje, asnjëherë. Mirëpo, edhe shkeljet e krimet eventuale e individuale të pjesëtarëve të UÇK-së nuk mund t\'i trajtojë EULEX-i i cili po e njeh luftën në Kosovë vetëm atëherë kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe vetëm atëherë kur këto u përshkruhen shqiptarëve e jo Serbisë dhe forcave të saj.
Vetëm në vitet 1998 e 1999, Serbia vrau rreth 12.000 shqiptarë, dhunoi mijëra gra e vajza, dogji ose shkatërroi afër 120.000 shtëpi, etj. etj. Por, EULEX-i s\'merret me këto ashtu qysh nuk merret as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit dhe jo vetëm atje.