20 Janar 2025

VV: Dhuna ndaj deputetëve u bë me urdhra të këtij pushtetit kriminal

Prishtinë,  20 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për media lidhur me dhunën që ushtroi dje pushteti mbi deputetet dhe deputetët opozitar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se opozita gjithnjë e më shumë ka mbështetjen masive gjithë popullore, e kjo u dëshmua më 9 janar, u dëshmua më 17 shkurt, dhe po dëshmohet përditë.

“Ne po shohim këmbënguljen e kësaj qeverie antikushtetuese që të vazhdojë në krye të pushtetit me çdo kusht, derisa t’i përmbushë të gjitha kushtet e marrëveshjes së koalicionit. Për pjesën e marrëveshjes së koalicionit me Listën Serbe, shkruan në Bruksel dhe na e sollën “Zajednicën”.\"

\"Tash, pjesa tjetër e marrëveshjes së koalicionit është bërja e Hashim Thaçit President. Opozita do ta vazhdojë ballafaqimin brenda dhe jashtë Kuvendit, duke i qëndruar besnike kauzës sonë”, theksoi Dërguti.

Ajo shtoi se e vendosur përballë presionit në rritje të popullit, qeveria antikushtetuese ka nisur të bëhet e dhunshme, dhe se dhuna u bë më se evidente në konferencën për shtyp të mbajtur pas protestës së 17 shkurtit, ku Hashim Thaçi e Isa Mustafa, me frikën që i dukej në fytyrë, e kërcënuan opozitën me konflikt.

“Suspendimi i deputetëve, tërheqja zvarrë dhe arrestimi i tyre, e bën Kuvendin e Kosovës jodemokratik. Kjo Qeveri që po tenton ta shtypë opozitën, i ka ditët e numëruara në pushtet”, tha ndër të tjera Dërguti.

Nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Driton Çaushi, tha se brutaliteti i djeshëm mbi deputetët opozitarë ishte me urdhra politik, nga paniku që e kapur pushtetin për shkak të kundërshtimit në rritje gjithëpopullor ndaj tij.

Ai përmendi emrat e 10 deputetëve të arrestuar dje, si dhe prezantoi para gazetarëve disa fotografi ku shihet dhuna e shfrenuar e pushtetit ndaj deputetëve të opozitës.

“Albulena Haxhiu është alivanosur dje pasi u përplas në tokë nga pjesëtarët e sigurimit. Përveç kësaj, pjesëtarët e sigurimit e penguan për një kohë të gjatë edhe dërgimin e saj në spital.\"

\"E pas është dërguar atje, është penguar edhe puna e mjekëve, për shkak të prezencës së shumë policëve brenda dhomës ku po trajtohej në QKUK, ku nuk është lejuar për një kohë të gjatë as të vizitohej nga familjarët e saj. E njëjta prezencë e policisë vazhdon edhe sot, në Qendrën e Traumatologjisë”, tha Çaushi.

Ai foli edhe për fushatën e sotme të shpifjeve ndaj deputetes Albulena Haxhiu që ka për qëllim denigrimin, cenimin e integritetit dhe dinjitetit të znj. Haxhiu.

“Ne nuk do të lejojmë asnjëherë një sjellje të tillë të pushtetit dhe të mediave të pushtetit që kanë për qëllim përuljen dhe cenimin e dinjitetit të deputeteve. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha në fund Çaushi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)