VV bën thirrje për garantimin e të drejtës së protestës në Maqedoni
Prishtinë, 16 korrik - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se situata e krijuar në Maqedoni këto ditë pas procesit të padrejtë gjyqësor dhe konfirmimit se dhuna policore e shtetërore është e rezervuar për shqiptarët, e veçanërisht për ata të cilët protestojnë ndaj padrejtësive, nxori në pah po ashtu dhe qëndrimin plotësisht të pavend që paska Kryeministri e Qeveria në ikje.
Kjo sipas VV në kushtet kur Maqedonia proserbe e Nikola Gruevskit është shumë më e egër ndaj shqiptarëve sesa Maqedonia e Ljubço Georgievskit.
\"Në vend të mbështetjes për protestat e drejta të shqiptarëve atje dhe të thirrjes për respektimin e të gjitha të drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve në Maqedoni, në reagimin e vonuar të Qeverisë së Kosovës u bë thirrje për dialog midis \"palëve\" duke e shpërndarë përgjegjësinë për dhunën e shfrenuar që u pa në rrugët e Shkupit e qyteteve të tjera.\"
\"Ne protestojmë ashpër ndaj reagimit të padrejtë që Qeverisë në ikje e cila i barazoi protestuesit me qeverinë e cila përdor dhunën dhe të gjithë aparatin shtetëror që të shtypë shqiptarët në ngjarjet e fundit e edhe më herët\", thekson VV.
VV bën thirrje për lirimin e qytetarëve të arrestuar në protesta, për ndaljen e dhunës e garantimin e të drejtës së protestës.
\"Po ashtu iu rikujtojmë faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni se çdo qëndrim që neglizhon në heshtje apo aktivisht reagimin e popullit shqiptar në Maqedoni për ndaljen e terrorit dhe dhunës, i kontribuon thellimit të shtypjes së shqiptarëve atje.\"
\"Pjesëmarrja e tyre në Qeveri, Kuvend apo dhe institucionet e pushtetit vendor e të tjera nuk ka mjaftuar për ta sanksionuar respektimin e plotë të drejtave politike, ekonomike e shoqërore të popullit shqiptar në Maqedoni, ndaj është momenti për të mbështetur pa kompromis kërkesat dhe protestat të qytetarëve shqiptarë\", thuhet në fund të reagimit të VV.