VV: Bashkëpunim ndërshqiptar përballë obstruksionit të Serbisë në KE
Prishtinë, 2 shkurt - Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtën sot një konferencë për media ku paraqitën problemet lidhur me Rezolutën më të fundit të miratuar në Këshillin e Evropës.
Serbia po e vazhdon fushatën e saj obstruktive kundër Republikës së Kosovës njëjtë siç bëri muaj më parë në UNESCO. Serbia po i përdor të gjitha kapacitetet e saj diplomatike për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet nëpër institucionet ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës Serbia arriti që në raportin periodik për Kosovën ti përfshijë amendamentet të cilat u integruan në tekstin e rezolutës në 7 dhjetor dhe u votuan me 28 janar në Asamblenë e Përgjithshme.
Dy prej këtyre amendamenteve janë veçanërisht problematikë. Njëri amendament kërkon krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kurse amendamenti tjetër kërkon rritjen e rolit të UNMIK-ut në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Pas gjithë kësaj lufte që po e bën Serbia kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e pafalshme se si kryeministri Mustafa po e vazhdon dialogun me Serbinë në të njëjtat linja sikur më parë tha Konjufca.
Të gjitha këto veprime të Beogradit kundër Republikës sonë vijoi më tej ai do të mund të shfrytëzoheshin nga Qeveria e Kosovës që ne ta përmirësonim pozicionin tonë politik karshi Serbisë. Por në vend që të ndodh kjo, Qeveria po e vazhdon avazin e vjetër të kompromiseve, me çrast, pala që po lëshon pe është Kosova.
Konjufca theksoi se raporti për Kosovën nuk është vetëm rezultat i një fushate të egër të Serbisë kundër shtetit tonë, por është po ashtu tregues i një pasiviteti të diplomacisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga zv.Kryeministri Thaçi. Ai tha se mbi 2/3 e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Si është e mundshme që shumica e këtyre delegacioneve nacionale ti mbështesin amendamentet e Serbisë dhe jo ato të Kosovës të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë. Kjo tregon që Hashim Thaçi e Petrit Selimi po flenë ndërkohë që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është degraduar dukshëm sidomos me dështimin e Kosovës në UNESCO dhe me Rezolutën 2094 të Këshillit të Evropës.
Në vend që Hashim Thaçi të japë llogari për këto dështime të diplomacisë shtetërore, ai është vetëm e vetëm i preokupuar me postin e tij të ardhshëm të Presidentit. Një sjellje e tillë është më se e mjaftueshme se si qeveria Mustafa është e ndërtuar mbi ambicien për poste e pushtet personal dhe fare pak apo aspak me kontributin për forcimin e shtetit dhe suksesin ndërkombëtar të Republikës.
Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti paraqiti detajet e sesionit të fundit dhe veprimet e delegacionit të Kosovës përballë raportit të deputetit spanjoll Augustin Conde ku amendamentet e Serbisë janë përkrahur me unanimitet dhe janë bërë pjesë integrale e raportit për Kosovës. Në këtë takim pra me 7 dhjetor nuk kanë qenë pjesëmarrës delegacioni i Shqipërisë, ndërkohë që prezent ka qenë delegacioni i Kosovës.
Dërguti sqaroi edhe njëherë pozicionin që ka delegacioni i Kuvendit të Kosovës me statusin e të ftuarit mysafir në Komisionin për Çështje politike dhe Demokraci që ia mundëson pjesëmarrjen ku ndonjëherë i jepet e drejta e fjalës por nuk ka të drejtë vote as të drejtë propozimi për ndonjë çështje.
Për këtë rast Kuvendi i Kosovës ka filluar koordinimin me Kuvendin e Shqipërisë qysh në fillim të janarit me çrast janë hartuar amendamentet, të cilat janë dorëzuar zyrtarisht në Këshill nga delegacioni i Shqipërisë. Që nga moment i shkuarjes në Strasburg, kanë filluar takimet e delegacionit të Kosovës me delegacione të ndryshme të vendeve anëtare për ta sqaruar kundërshtimin tonë për amendamentet e Serbisë, duke u kërkuar përkrahje për amendamentet tona. Ndërkohë delegacioni i Shqipërisë së bashku me deputeten nga Maqedonia Ermira Mehmeti, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për dorëzimin e amendamenteve. tha Dërguti.
Pra delegacioni i Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë, kanë vepruar si një ekip e si rezultat u arrit që amendamentet tona të marrin përkrahje të madhe, duke qenë shumë afër suksesit, pra vetëm për një votë.
Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se bashkëpunimi në këtë rast na tregoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar, sepse nga një situatë e pafavorshme që kishim në fillim kur amendamentet e Serbisë ishin përkrahur me unanimitet brenda komisionit në dhjetor, arritëm që votimin në seancë ta ndajmë në dysh.
Ajo tërhoqi vëmendjen se ky bashkëpunim i duhur dhe i domosdoshëm, do të vazhdojë me koordinim shumë intensiv paraprak meqë herën e ardhshme do të diskutohet ngritja e nivelit të pjesëmarrjes së Kosovës në Këshill të Evropës.