20 Janar 2025

VV: Alternativa për Republikën bën bashkë vullnetin e përgjithshëm

Skenderaj, 26 prill - Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti takim në Skenderaj, me ç\'rast shpalosi Alternativën Qeverisëse para qytetarëve. Në tubim morën pjesë, Aida Dërguti, nënkryetare, Visar Ymeri, kryetar i Grupit Parlamentar dhe Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Tubimin e hapi koordinatorja e Qendrës së Lëvizjes në Skenderaj, Ajnishahe Shala Halimi, e cila pasi i prezantoi të pranishmit tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti që ka Alternativë Qeverisëse.

Duke folur për realitetin politik në Skenderaj ajo tha se janë përhapur shumë thashetheme, agjitacion dhe shantazhe të ndryshme, mirëpo ajo tha se aktivistët e VETËVENDOSJE!-s janë të vendosur për ndryshim e jo për ta festuar ditëlindjen e Hashim Thaçit.

Aida Dërguti, foli për rëndësinë e organizimit. Ajo tha se të gjithë të pakënaqurit duhet të organizohen për t\'i adresuar pakënaqësitë e tyre. Dërguti, theksoi se si Lëvizja VETËVENDOSJE! brenda 9 viteve ka evoluar nga një grup të rinjsh e të rejash në forcën e tretë politike, të cilët kanë zhvilluar konceptin e tyre emancipues nga Manifesti deri tek në Alternativa Qeverisëse.

E në këtë rrugëtim, - vijoi ajo - në Prishtinë e mundëm të vjetrën, ashtu siç do ta mundim në të gjitha Kosovën, të keqen. Dje e mposhtëm Isa Mustafën dhe LDK-në në Prishtinë me Shpend Ahmetin, sot do ta mundim Hashim Thaçin dhe PDK-në me Albin Kurtin\" - përfundoi Dërguti.

Kryetari Grupit Parlamentar, Visar Ymeri ua kujtoi të pranishmëve se në Kosovë jetesa është shndërruar në luks. Ne -tha ai - nuk po jetojmë, por po mbijetojmë sepse shteti i Kosovës nuk po kujdeset për qytetarët e vet.

Formalisht ne jemi Republikë, - vazhdoi Ymeri - por në esencë shteti i Kosovës as nuk e shpërndan pasurinë në mënyrë të barabartë, as nuk e zbaton ligjin në mënyrë të barabartë. Këtu po favorizohet një grup i vogël njerëzish, të cilët janë të afërt me kastën politike në vend\".

Ia vlen të përkushtohemi të gjithë që ta krijojmë prodhimin në vendin tonë - nënvizoi Ymeri, - në mënyrë që ta krijojmë mirëqenien dhe vendet e punës. Për këtë arsye VETËVENDOSJE! e ka planifikuar  me detaje industrializimin e vendit.

Së pari duke i rivitalizuar asetet industriale, e konkretisht rivitalizimin e Trepçës me ç\'rast do të hapeshin mjaftueshëm vende të punës për të gjithë Kosovën e sidomos për banorët në Komunat që tradicionalisht janë punësuar aty. Këto vende pune - solli në vëmendje ai - do të ishin të sigurta e afatgjatë, e po ashtu të lidhura ngushtë me profesione e specialitete duke garantuar dhe vijimësinë e brezave të hershëm e atyre të rinj.  

Albin Kurti në paraqitjen e tij të detajuar të planifikimit qeverisës sipas Alternativës, pas citimit të çështjeve që paraqiten në të u ndal dhe në sektorin e bujqësisë.  Ai tha se bujqësia është një motor për zvogëlimin e papunësisë, por mbi të gjitha për zvogëlimin e importeve dhe zëvendësimin e tyre me prodhime vendore.

Në  qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s  - vijoi ai - është planifikuar rritja e buxhetit për bujqësinë me 60 milionë euro në vitin e parë, 120 milionë euro në vitin e tretë, me ç’rast 65 për qind e buxhetit të shtetit do të jenë subvencione e 35 për qind grante për zhvillim rural. Kjo do ta ndërronte plotësisht gjendjen aktuale të bujqve përveç sigurisë do t\'u jipte atyre motivimin për ta shtuar prodhimin e tyre.

\"Ju e dini që aktualisht vetëm 2 për qind e buxhetit të shtetit shkon për Ministrinë e Bujqësisë, me ç’rast më shumë se gjysma ndalet në vetë këtë Ministri\" - vazhdoi ai. \"Duhet të kemi investime në infrastrukturë bujqësore, në ngritje të kapaciteteve përpunuese, depove dhe rrjet kombëtar të pikave të grumbullimit, funksionalizim të sistemit të ujitjes së Ibër-Lepencit, ulje të kostos së prodhimit përmes orientimit strategjik në prodhim e në tregtim dhe mbrojtje e prodhimit vendor përmes politikave doganore\" - argumentoi Kurti gjatë paraqitjes së tij në lidhje me ndryshimet në sektorin e bujqësisë.

Albin Kurti, tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet arsimit, me ç’rast arsimi publik do të jetë pa pagesë, dhe njëkohësisht do të jetë i lidhur me ekonominë, sepse në Alternativën Qeverisëse arsimi dhe ekonomia shihen në marrëdhënie sinkronike.

Ai shpjegoi në detaje se ç\'kuptojmë ne me vëmendje të posaçme duke përmendur  disa hapa thelbësor.  \"Ne - renditi ai, - do ta fillojmë programin për riaftësimin apo trajnimin dy-vjeçar, të mësuesve të shkollave fillore, me prioritet gjuhën shqipe dhe matematikën\".

\"Do të angazhojmë studentët e shkëlqyer universitar dhe pasuniversitar në mësimdhënie në arsimin e mesëm në formë stazhi. Do të sigurojmë ushqimin pa pagesë për  të gjithë nxënësit deri në klasën e pestë të shkollës fillore, hapjen e gjashtë shkollave të larta profesionale me drejtime të inxhinierisë, informatikës, bujqësisë, mjekësisë, mësuesisë dhe menaxhimit\" vazhdoi më tej ai. Si dhe do ta realizojmë edukimin pa pagesë në universitetet publike, pra heqjen e pagesave semestrale, dhe njësimin e plotë të kurrikulave me Republikën e Shqipërisë dhe bashkim i akademive të shkencave dhe të arteve.

\"Jam i bindur - vijoi Kurti - që në ecjen tonë përpara ne do të jemi bashkë në këtë koncept, bashkë me këtë alternativë, sepse pikërisht Lëvizja jonë është alternativë për një Republikë tjetër fare. Për një transformim të shtetit, për një shtet ku do të kemi prodhim e jo vetëm konsum, për një shtet ku do të ketë drejtësi e jo korrupsion, dhe për një shtet i cili do të ketë edhe sovranitet politike edhe sovranitet ekonomik, duke i bërë bashkë edhe vullnetin e përgjithshëm me interesat individuale të qytetarëve të Republikës sonë\" - përfundoi Albin Kurti.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)