Vushtrria shënon 28 nëntorin, Ditën e Flamurit
Prishtinë, 28 nëntor - Për të shënuar 102 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të kujtuar festat tjera të kombit shqiptar që lidhen me këtë datë, Komuna e Vushtrrisë organizoj manifestim në Shtëpinë e Kulturës Hasan Prishtina.
Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Rama, e cila tha se sot po festohet një datë tepër e veçantë për kombin shqiptar.
Ne shqipet, ne plis bardhët, jemi ne ai populli i përvuajtur ndër shekuj që derdhëm gjakun për tokën tonë. U sprovuam, na dëbuan, na i dogjën shtëpitë, na vranë, por ne përsëri lindëm, përsëri filluam jetën në këtë tokë, sepse ishte e jona. Diçka që ta jep Zoti, smund të ta marrë as fuqia më e madhe e botës, tha drejtoresha Rama.
Një fjalim rasti mbajti edhe historiani vushtrrias, Izet Miftari, i cili tha se populli shqiptar padyshim që është populli më i vjetër, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
28 nëntori është datë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, pasi që na lidh me Skënderbeun, datëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i cili ishte vrarë nga policia pushtuese serbe në Kosovë, tha Miftari.
Në këtë manifestim u shfaq edhe një program i pasur kulturoro-artistik, me çrast performoj ansambli i valleve dhe kënduan disa këngëtar vushtrrias.