02 Maj 2024

Vrasja e Remzi Salihut akt i rëndë dhe i patolerueshëm

Prishtinë, 3 tetor - Institucione e qeveritare, Presidenca, Kuvendi, zyrtarë të lartë dhe opozitarë në Kosovë kanë dënuar ashpër vrasjen e drejtorit të arsimit në Komunën e Prishtinës. 

Ata kanë kërkuar ndëshkimin e autorit të krimit dhe kanë ngushëlluar familjarët për humbjen e madhe.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e brengosur rreth vrasjes së drejtorit të Departamentit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.

Jahjaga e quajti të patolerueshëm incidentin në fjalë, ndërsa theksoi rëndësinë për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Kosova është duke punuar për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e korrupsionit dhe sfidat e zhvillimit ekonomik. Ne jemi të brengosur që sot në zyrën e vet është vrarë Drejtori i arsimit të Prishtinës."

"Kjo është e patolerueshme dhe shprehë nivelin e ultë të marrëdhënieve në shoqëri që flet se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit si parakusht për jetë të qetë e normale për secilin qytetar”, tha Jahjaga në një ceremoni të diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Qeveria e dënon aktin kriminal të vrasjes së drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu.

“Ky është një sulm i rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit instiucional në vendin e tij të punës”, theksohet në komunikatën e qeverisë.

Qeveria i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Salihu.

Gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, dënon aktin makabër të vrasjes së drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu.

"Ky akt ka tronditur, jo vetëm anëtarët e familjes Salihu, shkollarët dhe mësimdhënësit, por edhe të gjitha institucionet dhe qytetarët e Kosovës", ka thënë Krasniqi.

Vrasja në krye të detyrës sipas tij është një akt barbar dhe i pashembullt në historinë e shtetit të Kosovës.

Kryekuvendari Krasniqi kërkon nga institucionet e drejtësisë që kryesi i kësaj vepre anticivilizuese të marrë dënimin e merituar.

Njëherit Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, është jashtëzakonisht i shqetësuar lidhur me rastin e vrasjes së drejtorit të Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Kurteshi, përmes një komunikate për medie, ka thënë se ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti i vrasjes së tij në vend të punës.

“Ky rast dhe raste të tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç ishin vrasjet e të rinjve në Pejë, njëra para dy muajsh e tjetra para dy javësh, vrasja e para dhjetë ditëve në Prishtinë, rasti i vrasjes dhe plagosjes së babës me djalin e tij, ditën e shtunë në Xërxë, janë tregues të një gjendje të brishtë të sigurisë publike në vend”, thuhet në reagim.

Identifikimi i fajtorëve dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë, sipas Kurteshit, është e nevojshme që të bëhet sa më shpejt.

“Gjithashtu është veprim i domosdoshëm për të ofruar parandalimin e akteve të tilla kriminale dhe për të ndikuar në rritjen e sigurisë së qytetarëve të vendit. Kjo duhet të jetë prioritet i organeve të rendit dhe institucioneve kompetente të drejtësisë në Kosovë”, ka vlerësuar në fund Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Po ashtu Partia Socialiste e Kosovës dënon ashpër aktin kriminal të vrasjes së drejtorit të drejtorisë së arsimit të Komunës se Prishtinës dhe i shpreh ngushëllime familjes se tij.

“Është e vërtetë, se ky akt tregon nivelin e ulët të sigurisë në Kosovë, nivel ky që është pasojë e drejtpërdrejt e nivelit primitiv qeverisës në Kosovë, për të cilën PSK pandërprerë ka tërhequr vërejtjen dhe ka alarmuar opinionin për nevojën e ndryshimeve cilësore, në radhë të parë përmes profilizimit (modernizimit të politikës) i cili nuk mund të vijë duke ruajtur strukturat e vjetra qeverisëse në përgjithësi, e në veçanti në administratën shtetërore”, thuhet në reagimin e Partisë Socialiste të Kosovës.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një komunikate për medie, ka thënë se me shqetësim të thellë mori lajmin për vrasjen, në vendin e tij të punës, të drejtorit të Departamentit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.

“AAK, e tronditur thellë nga kjo ngjarje, e dënon fuqishëm këtë krim, duke e konsideruar atë si një akt të drejtuar direkt kundër shtetit ligjor, rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës”.

“AAK, në këto momente të rënda pikëllimi, ua përcjellë ngushëllimet më të thella familjes së Salihu dhe të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit në Komunën e Prishtinës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)