Votohet mocioni i AAK-së për lirimin e Ramush Haradinajt
Prishtinë, 18 qershor - Kuvendi i Kosovës, ka votuar mocionin e AAK-së, për seancë të jashtëzakonshme me rastin e ndalimit të ë padrejtë të Kryetarit të AAK-së dhe Ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet sllovene.
Në bazë të nenit 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 49, paragrafi 2, të Rregullores së Punës së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, thërret Seancë të Jashtëzakonshme për çështjen si në vijim:
Ndalimi i Kryetarit të AAK-së dhe Deputetit të Kuvendit të Kosovës (sipas një fletëarresti të Serbisë) në Slloveni
Është irritues, i papranueshëm dhe fyes për Kosovën dhe të gjithë ne, sjellja dhe veprimi i policisë sllovene me udhëheqësin e njohur të luftës për lirinë e vendit, ish-kryeministrin e Kosovës dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj;
Shteti slloven, me sjelljen dhe veprimin e tij ndaj z. Haradinaj, bëri përjashtim nga vendet tjera të Bashkimit Evropian, dhe dje u soll njëjtë si regjimet e Beogradit, në raport me Kosovën, në raport me përpjekjet e pastërta dhe të drejta të popullit tonë në të kaluarën, për liri dhe shtet, në raport me z. Haradinaj dhe gjithë atë që përfaqëson ai;
Ramush Haradinaj e dëshmoi disa herë veten dhe veprën e tij, në të gjitha format u kuptua e vërteta e krejt asaj që ka bërë ai në të mirë të lirisë së shqiptarëve, të Kosovës dhe të ardhmes sonë të përbashkët;
Gjithashtu, duke e parë të nevojshme që Sllovenia zyrtare duhet të reflektojë, të lejojë sa më parë z. Haradinaj të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Kosovës, të heqë dorë nga këto praktika dhe të bëhet, më në fund, si të gjitha shtetet tjera të Evropës, të ndërhyjë në pastrimin sa më të shpejt të këtyre listave nga reliktet e të së kaluarës, nga mbeturinat, shpifjet dhe fletarrestet e tilla, të cilat, pos në Beograd, sot kuptuam se çuditërisht qenkan aktuale edhe në Lubjanë;
Si dhe duke e ditur që kryetari i Aleancës dhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po aq sa i Kosovës, është edhe i bindjeve dhe vizionit për një Evropë të lirë e të qytetëruar;
Këkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të prodecojë me senacë të jashtëzakonshme për këtë skandal që shkaktoi shteti slloven, duke goditur e fyer Kosovën, shtetin tonë, vlerat dhe gjithë ato që përfaqëson z. Haradinaj.
Kjo do të ishte një sjellje konform përgjejgësive që ka Kuvendi i Kosovës, që kanë institucionet e këtij vendi në raport me z. Haradinaj, por edhe me vetë imazhin dhe vlerat që ka Kosova, dhe që për të gjithë ne duhet të jenë përherë të pacenueshme nga të gjithë në rajon .