Votohet mocioni, bie Qeveria e Kosovës
Prishtinë, 10 maj - Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër tij kanë votuar 34 deputetë dhe kanë abstenuar 3 deputetë.
Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa.
Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimin e procedimit për ratifikim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.