Voto dhe vëzhgo, mbi 5000 qytetarë raportuan parregullsitë
Prishtinë 3 nëntor - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur e përmbylli fushatën "Voto dhe Vëzhgo" me një numër të madh mesazhesh të dërguar nga votuesit Kosovar. Mbi 5000 qytetarë raportuan parregullsitë me sms që i kishin hasur gjatë votimit.
Të ndara nëpër kategori sipas natyrës së parregullsive, cdo i katërti votues raportoi probleme me listën e votuesve, ku dominojnë ato që tregojnë për personat e vdekur që akoma figurojnë në lista.
Çdo i shtati votues ka raportuar probleme me menaxhimin e keq të vendvotimit, nga problemet me spërkatje të gishtave deri te abuzimet e shumta të komisionereve.
Por në orët e mbrëmjes u raportuan edhe raste të ndaljes së rrymës elektrike. Dhe cdo i treti raportoi presione të natyrës së ndryshme në votuesit ose probleme në kabinën votuese sic është fotografimi i votës dhe asistimi ose më mirë të themi drejtimi i votës nga kryefamiljari.
Edhe pse nuk ishte kërkuar, cdo i katërti raportoi se gjithcka ishte në rregull me votimin.
Të gjithë sms-ët u përpunuan nga 30 operatorë të cilët i kanë kategorizuar parregullsitë. E gjithë kjo punë është bërë në kohë reale.
Kjo është hera e parë, bile në Europë, ku votuesit raportojnë parregullsitë. Është shumë shpresëdhënës fakti që në këtë fushatë të inicuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, kanë marrë pjesë shumë institucione media dhe biznese Kosovare, të cilat i ofruan shërbimet e tyre falas.
Duhet përmendur në rend të parë operatorët mobil IPKO, Vala dhe Z-mobile të cilët të gjitha shërbimet i realizuan falas. Poashtu edhe TV -të lokale, mediat e shkruara, web portalet e të tjerë iu bashkangjitën fushatës për të cilën nuk kërkuan kompenzim.
Fushata ka një relevancë të madhe, sepse arriti t'i (1) mobilizojë qytetarët që ta mbrojnë votën e tyre duke raportuar abuzimet, (2) ndikojë sadopak në parandalimin e abuzimeve, duke i qëndruar mbi kokë abuzuesve potencial dhe (3) ngritë një strukturë problemesh dhe keqpërdorimesh të analizuara mirë me një softver adekuat të hartuar nga stafi i IPKO-së, i cili informacion do të duhej të përdorej nga grupet që do të punojnë në reformën e sistemit zgjedhor dhe do ta drejtojë këtë reformë drejt evitimit të parregullsive me të shprehura.
Për herë të parë u demonstrua se teknologjitë informative duhet futur në lojë dhe skenari i aplikuar në këtë fushatë ishte sa i lehtë aq edhe kreativ.