Vonesë e pakuptimtë e konstituimit të institucioneve shtetërore
Prishtinë, 2 dhjetor - Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, Kosova vazhdon të jetë në krizë institucionale dhe pa institucione legjitime, përkundër marrëveshjes së arritur dy javë më parë për koalicion qeverisës nga PDK dhe LDK.
KDI që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, në vazhdimësi ka përcjellur rrjedhën e ngjarjeve politike, të cilat kanë prodhuar krizë politike dhe institucionale kanë ndikuar që shteti të dëmtohet politikisht dhe ekonomikisht.
Për 6 muaj Kuvendi ende nuk ka arritur të konstituohet, nuk po mund të shqyrtojë, debatojë e as miratojë Buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa ka mbetur më pak se një muaj kohë, investimet kapitale kanë ngecur si pasojë e mos-rishikimit të buxhetit të këtij viti, agjensionet e pavarura me rëndësi kyçe për rregullimin dhe ekzekutimin e ligjeve të dikastereve të ndryshëm vazhdojnë të jenë jo-funksionale.
Po ashtu sipas KDI-se tendencat serioze për migrim ilegal të të rinjve nga Kosova vijnë si pasojë e krizës ekonomike si dhe besimi qytetarëve është në rënie.
KDI e konsideron papërgjegjësi politike dhe shtetërore shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive ndërsa shpreson që kjo të mos reflektohet edhe më tej në punën e koalicionit të ri qeverisës.
KDI bën thirrje që këtë javë, pa asnjë vonesë të mëtutjeshme të konstituohet Kuvendi, të konsolidohen institucionet dhe trupat parlamentare kyçe, si dhe të zgjedhet kabineti qeveritar.
Qytetarët presin që Kuvendi të punojë me një dinamikë të shtuar për të përmbushur vakumin institucional dhe për të realizuar premtimet zgjedhore.
KDI kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria që në agjendën e tyre të kenë prioritet;
· Procedimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit të ardhshëm;
· Zgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të Agjencive të pavarura, duke filluar nga ato më të rëndësishmet;
· Ndryshimet legjislative dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës;
· Miratimin e Rregullores së re të Punës së Kuvendit, të domosdoshme për shmangien e paqartësive që përcollën konsolidimin e institucioneve;
· Reformën e legjislacionit zgjedhor;
· Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të adresuara dhe në raportin e fundit të progresit,
· Strategjinë për zhvillim ekonomik e cila adreson gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Në mënyrë që institucionet të garantojnë mirëqeverisje dhe integritet, KDI pret nga subjektet politike parlamentare që të jenë racionalë dhe të zvogëlojnë numrin e ministrive dhe stafit politik, të zgjedhin njerëz të përgjegjshëm, profesional me profil të pastër.
Ftojmë subjektet politike që kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e institucioneve shtetërore që interesat e qytetarëve ti vënë para interesave të ngushta individuale apo grupore të tyre.