Vllasi e Bakalli në listë për veteranë të UÇK-së
Prishtinë, 11 prill - Ish-funksionarët e lartë komunistë, Azem Vllasi dhe i ndjeri Mahmut Bakalli, figurojnë në listën për njohje të statusit të veteranit të UÇK-së. Emrat e këtyre gjenden në listën e Zyrës Politike të UÇK-së në Prishtinë, të cilën e pati udhëhequr Adem Demaçi.
Për njohje të statusit të veteranit të UÇK-së kanë aplikuar edhe ish- funksionarët e lartë të Partisë Komuniste të ish-Jugosllavisë, Azem Vllasi dhe i ndjeri Mahmut Bakalli. Plotësimin e aplikacionit për këtë të fundit e ka bërë njëri nga anëtarët e familjes së tij. Emrat e këtyre dy ish-funksionarëve të lartë komunistë gjenden në listën e aplikantëve që e ka dorëzuar Zyra Politike e UÇK-së në Prishtinë, të cilën e ka udhëhequr veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Në listën e aplikantëve të kësaj zyre, të cilën e ka siguruar Epoka e re, figurojnë emrat e 63 personave. Lajmin e ka konfirmuar për Epokën e re edhe vetë Vllasi. Po, e kam plotësuar aplikacionin me kërkesë të Zyrës Politike, pasi kam qenë këshilltar i Adem Demaçit gjatë vitit 98-99, ka thënë Vllasi.