Vllahiu: Sdo të ketë imponime
Prishtinë, 11 tetor - Këshilltari politik i presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, ka bërë me dije se shefja e shtetit do ta vazhdojë procesin e lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike derisa të arrihet zgjidhja për formimin e institucioneve të reja.
Presidentja Jahjaga ka nisur këtë proces të lehtësimit të diskutimeve me liderët dhe ai do të vazhdojë derisa nuk arrihet një pajtim për zgjidhjen e impasit të krijuar, ka thënë Vllahiu në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme që procesi mos të degradojë.
E rëndësishme është që procesi të mbahet në tavolinën e diskutimeve në zyrën e presidentes dhe të mos degradojë, por të kërkohet një mundësi që të gjendet rrugëdalja duke respektuar këtë kuadër kushtetues dhe ligjore dhe duke respektuar edhe institucionet e vendit.
Ai ka siguruar se nuk do të ketë imponime në zgjidhjen e kësaj situate.
Procesi është tërësisht proces i Kosovës dhe tërësisht në duart e institucioneve dhe të vet liderëve të partive politike parlamentare si dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Duhet të kuptohet se imponime nuk do të ketë. Nuk do të ketë as zgjidhje nga jashtë. Nuk do të ketë as zgjidhje jokushtetuese, është shprehur Vllahiu.
Ai ka deklaruar se Jahjaga beson se liderët do ta gjejnë vullnetin dhe guximin për formimin e institucioneve. Në këtë kontekst, Vllahiu ka thënë se zgjidhja nuk mund të kërkohet në pafundësi.
Vllahiu ka thënë se për shkak të kësaj situate të krijuar politike vendi është në një fazë kritike. Përveçse po rrezikojmë të futemi në një krizë institucionale e politike, në një krizë edhe më të thellë buxhetore dhe financiare, gjithashtu po e rrezikojmë edhe bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar dhe po i sfidojmë proceset e ndërlidhura me këtë faktor, ka thënë Vllahiu. /Epoka e Re/