Vlerësohet kontributi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Zvicër
Prishtinë, 14 janar - Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri, sot ka pritur në takim një delegacion të Zyrës Federale të Zvicrës për Migracion, të kryesuar nga Drejtori i kësaj zyre, Mario Gattiker, me të cilët ka biseduar për migracionin dhe rregullimin ligjor të tij.
Zëvendësministri Ymeri ka bërë prezantimin e të arriturave të Kosovës lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe punët që janë duke u bërë në eliminimin e migrimit jo ligjor, ndërsa u bisedua edhe mundësia e krijimit të kushteve për riatdhesim të kontrolluar nëpër faza të caktuara.
Përfaqësuesit e Zyrës Federale të Zvicrës për Migracion, kanë shprehur gatishmërinë e tyre në rregullimin e kushteve për përmirësimin e migrimit ligjor dhe kanë ofruar ndihmën e vendit të tyre lidhur me përmirësimin e kushteve për të riatdhesuarit.
Po ashtu, përfaqësuesit zviceran kanë thënë se qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër, ka dhënë kontribut shumë të madh në zhvillimin ekonomik të vendit të tyre.
Ministria e Drejtësisë kërkoi që krahas plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, të bëhet edhe lehtësimi i kritereve për dhënien e vizave për qytetarët e Kosovës.