Vlerësohen lartë marredhëniet Itali-Kosovë
Romë, 24 prill - Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, gjatë një vizite që po zhvillon në Itali, u takua me Nënsekretaren në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Italisë Maria Cecilia Guerra, të cilën e falënderoi për kontributin e shtetit italian për Kosovën.
Ministri Makolli theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe gjuhës së pjesëtarëve të diasporës, si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në rindërtimin e gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për informim e Ministrisë së Diasporës.
Makolli e informoi bashkëbiseduesen lidhur me vendimin e Ministrisë së Diasporës për hapjen e qendrave kulturore të Kosovës në shtetet ku është e koncentruar mërgata kosovare.
Nënsekretarja Guerra theksoi se është shumë e rëndësishme marrëdhënia mes Italisë dhe vendeve të origjinës së emigrantëve, duke e veçuar komunitetin kosovar si një komunitet punëtor dhe relativisht mirë të integruar.
Në kërkesën e ministrit Makolli që të rinjtë dhe studentët të ketë mundësinë për punësim si punëtorë sezonalë, nënsekretarja Guerra u shpreh se me gjithë krizën ekonomike në Itali, dikasteri që ajo përfaqëson i jep mbështetje punësimit sezonal nga vendet e treta dhe në këtë drejtim janë të përcaktuara kuotat sezonale.