Vlerësimi i DASH për korrupsionin endemik në Kosovë, shqetësues
Prishtinë, 14 prill - Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe një herë vlerësoi, se kjo qeveri e korruptuar në Kosovë po shkel të drejtat e njeriut, përmes aferave të shumta korruptive të pandëshkuara.
Korrupsioni endemik qeveritar dhe i sektorit privat, dhe mungesa e ndëshkimit të akteve korruptive mbetet një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut, ka shkruar qartësisht Raporti i DASH-it për të Drejtat e Njeriut, për Kosovën në vitin 2015.
Padyshim një cilësim kaq i ashpër nga SHBA-të, i nxjerr krejt të pakuptimta phimet e zyrtarëve qeveritar, se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë skandal korrupsioni.
Sikurse ka shkruar DASH, ligjet mundësojnë ndëshkimin e korrupsionit, por Qeveria nuk ka zbatuar efektivisht ligjin, dhe korrupsioni mbetet një problem serioz. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe, në përgjithësi, dobësitë në sundimin e ligjit, kanë kontribuar në këtë problem.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e përkushtuar që të zhbëjë korrupsionin në Kosovë, duke vendosur mekanizma institucional të specializuar për të luftuar këtë kancer në qeverinë e Kosovës.
Aleanca, me programin e saj, synon të themelojë Byron Nacionale të Hetimeve, që do të jetë mekanizëm i sistemit të drejtësisë penale të Republikës së Kosovës, i vendosur te Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të jetë i specializuar për të hetuar krimet; do të ketë homologun e vet në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, që do të të ketë emër të ngjashëm Policia BNH; si dhe në sistemin gjyqësor Departamenti Gjyqësor për Rastet Penale nën Juridiksionin e BNH-së.
BNH do të jetë përgjegjëse për luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.
Duke qenë të ballafaquar me një Qeveri të cilën Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson si të zhytur në korrupsion endemik qeveritar, Aleanca e ka të qartë se zëri i qytetarëve do të dëgjohet përmes protestave masive dhe paqësore qytetare.
Korrupsioni endemik qeveritar është edhe një arsye e rëndësishme për protestën masive të 14 majit 2016, e cila do të mbahet në Prishtinë, duke filluar në orën 14:00.