20 Janar 2025

Vlerat e lirisë dhe demokracisë nuk mund t’i rrënojë askush

Prishtinë 17 shkurt - Kryeministri i Republikë së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe dëshmorëve e martirëve të vendit të bekuar.   

“Republika e Kosovës po e shënon Ditën e Pavarësisë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, këtu pranë Ibrahim Rugovës, që me simbolikën e hapit të tij, shënon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, shënon rrugëtimin e vështirë por të vendosur të këtij populli, shënon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të qytetarëve të Kosovës. Është kjo ecje mbi vështirësitë kah një e ardhme e sigurt”, tha kryeministri Mustafa. 

Pavarësia e Kosovës sipas tij tashmë është realitet, të cilin e kanë pranuar 111 vende, pjesë e të cilave janë vendet më të fuqishme, më demokratike e më të zhvilluara të globit.         

"Në këto 17 vite liri dhe tetë vite pavarësi, Kosova ka bërë reforma të thella strukturore, ka vënë baza të forta të zhvillimit të ekonomisë së tregut, ka ndërtuar institucione sipas kritereve evropiane, infrastrukturë bashkëkohore, por ajo që është më e rëndësishme, është se ka  bërë hapa të rëndësishëm dhe të vendosur në integrimet euroatlantike. Ka bërë edhe hapa në themelimin e ushtrisë së saj", theksoi Mustafa.

Kosova nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, e cila ia hap dyert për bashkëpunim të ngushtë ekonomik, për forcim të shtetit të së drejtës, për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe për avancim të demokracisë.   

Edhe në këtë përvjetor, Kosova mori mesazhe të qarta të përkrahjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vlerësojnë sukseset tona dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një shtet të zhvilluar në të gjitha fushat e jetës.

"Me mbështetjen nga partnerët tanë evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kosovarët e kemi më të lehtë ta konsolidojmë familjen dhe shtetin tonë. Por, duke kryer secili punën dhe detyrat tona, me përgjegjësinë më të lartë qytetare, atdhetare e shtetërore." "

"Sot, Republika e Kosovës i ka përvetësuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës", ka thënë Mustafa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)