VLAN: Ndërprerja e Seancës nga Brovina ishte jokorrekte
Prishtinë, 18 shtator - Koalicioni LDK-AAK-Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje!, pas Seancës së sotme konstituive, konstatojnë dështimin e PDK-së për të zgjedhur Kryetarin dhe për të konstituuar Kuvendin në Legjislaturën V.
Plot 100 ditë që prej datës së mbajtjes së Zgjedhjeve të përgjithshme ishin të pamjaftueshme për PDK-në që të krijojë shumicën në Kuvend. Sot, shumica absolute, pra 61 deputetë, ishin kundër propozimit të PDK-së, kandidati i të cilës mori vetëm 44 vota.
Koalicioni i shumicës parlamentare konstaton se ndërprerja e Seancës nga kryesuesja, deputetja Brovina, pa e respektuar të drejtën e deputetëve të koalicionit të shumicës për fjalë, ishte jokorrekte.
Koalicioni i shumicës parlamentare konsideron se, duke u bazuar në pikën 127 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin Nr. KO 119/14, të 26 gushtit 2014, e ka të drejtën, mundësinë dhe zgjidhjen për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj për të vijuar me formimin e Qeverisë së re.