VLAN, ndaras në zgjedhje
Prishtinë, 22 shtator - Për tejkalimin e ngërçit politik, zgjedhjet nga shumëkush po shihen si mundësi e mirë, sado që partitë hezitojnë për një proces të ri zgjedhor.
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë konfirmuar se do të shkojnë në një listë të përbashkët si LAN, për sa kohë që Vetëvendosja do të shkojë si e vetme.
Në LDK kanë refuzuar të flasin për zgjedhje në këtë kohë, pasi sipas tyre shkuarja në zgjedhje nuk duhet të jetë opsion.
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje, mirëpo nëse sipas tij një gjë e tillë imponohet, atëherë blloku është i gatshëm për një sfidë të tillë dhe se do të konkurrojnë me një listë të përbashkët.
Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje, derisa ka një shumicë parlamentare, që është e gatshme për ti bërë institucionet. Por, nëse kjo surrogat demokraci që po imponohet nga pengmbajtësit e shtetit me zor dhe medoemos do që ta shtyjë vendin në zgjedhje, blloku i shumicës është i gatshëm për një sfidë të tillë, ka thënë Luma.
/Tribuna/