Vjosa Osmani prezanton kandidaten për deputete, e shkolluar në Britani
Prishtinë, 10 shkurt - 26-vjeçarja Jeta Statovci është kandidate për deputete të Kuvendit të Kosovës, në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mban numrin 48. Vjosa Osmani e ka prezantuar në profilin e saj kandidaten Statovci si një kuadër të ri, por të vlerësuar për shkak të përgatitjes së saj profesionale.
Jeta Statovci shkollimin e ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ka mbajtur pozitën e këshilltares për politika shëndetësore dhe sociale e kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht dhe ushtruese e detyrës e presidentes, Vjosa Osmani.
Statovci u lind në Prishtinë më 3 qershor 1994. Studimet e nivelit Master i përfundoi në London School of Economics (LSE), në Mbretërinë e Bashkuar, e përqendruar në drejtimin “Ekonomia dhe politikat shëndetësore”.
Ajo ishte përfituese e një nga bursave me prestigjioze ndërkombëtare, Chevening Scholarship. Ndërsa, studimet e nivelit Bachelor i përfundoi në Rochester Institute of Technology (RIT Kosovo), në drejtimin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit.
Së fundi, Jeta ka mbajtur pozitën e këshilltares për politika shëndetësore dhe sociale e kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht dhe ushtruese e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
Ajo është gjithashtu e angazhuar në mësimdhënie në nivelin universitar me fokus mbi menaxhimin shëndetësor.
Paraprakisht, Jeta ka punuar si konsulente e ekonomisë shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, në Kosovë, në kuadër të Lux-Development dhe zëvendësprorektore për hulumtime dhe cilësi në një kolegj privat. Eksperienca e saj në ekonominë shëndetësore prek dhe rrafshin ndërkombëtar.
Ajo kandidon për herë të parë për deputete të Kuvendit të Kosovës si përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë dhe ka për synim të trajtojë temat mbi financimin shëndetësor dhe rikuperimin e shëndoshë pas pandemisë. Fokusi i saj shtrihet edhe mbi grupet e margjinalizuara në shoqëri.
Statovci është parë tejet aktive edhe në fushatë, duke vizituar biznese të shumta dhe duke qenë mjaft aktive edhe në prezantimin e programit qeverisës në koalicionin e Vetëvendosjes me listën e Vjosa Osmanit.