19 Janar 2025

Vizita e bashkatdhetarëve nga Turqia në Kosovë dhe Shqipëri

Prishtinë, 20 maj - Sot, në Ministrinë e Diasporës, qëndroi një grup bashkatdhetarësh prej 35 vetash nga Turqia, të moshave dhe profesioneve të ndryshme. 

Prej tyre, 25 veta ishin vijues të kursit të gjuhës shqipe që organizohet në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll, ndër ta kishte edhe turq. Gjithashtu, pjesëmarrës ishin edhe anëtarë të Rrjetit të të rinjve shqiptarë të Turqisë.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të ekskursionit që po zhvillohet Shqipëri –Kosovë, në qytete të ndryshme.  

Kursistët dhe mysafirët e tjerë nga Turqia i priti sekretari i MeD-së, Osman Shahini, me bashkëpunëtorë.

Sekretari Shahini i informoi të pranishmit për funksionimin e Ministrisë së Diasporës, për qendrat e themeluara kulturore, për rrjetet e bizneseve të themeluara kudo në botë, për regjistrimin e diasporës, qëllimi i të cilit është të dihet numri i mërgimtarëve në botë,  niveli i shkollimit, potenciali njerëzor, në mënyrë që të hartohen politika për  diasporën.  
 “Politika  që ndiqet nga Qeveria, po edhe nga Ministria e Diasporës në raport me pjesëtarët e diasporës është që të integrohen atje ku jetojnë, ta mësojnë gjuhën shqipe, të mos e harrojnë origjinën, gjuhën, kulturën dhe të bëhen ura lidhëse mes vendlindjes dhe vendeve ku jetojnë, qoftë në fushën e kulturës, ekonomisë, por edhe shkëmbimit të dijes dhe përvojës”, tha ndër të tjera sekretari Shahini.

Me këtë rast, ai potencoi punën e madhe që po bëhet në QKK-në në Stamboll  për organizmin e kurseve, por edhe aktiviteteve të tjera kulturore. Sekretari Shahini kërkoi nga të pranishmit që kjo qendër të bëhet pikë takimi jo vetëm për t’u njohur mes vete, po ku mund të diskutohet edhe për shkencë e kulturë.

Gjithashtu, të rinjtë shqiptarë nga Turqia, pjesëmarrës të këtij grupi, u njoftuan edhe për punën praktike që mund ta bëjnë në institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë.

Një ndër vijuesit e kursit të gjuhës shqipe në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll ishte edhe dr. Mehmet Hacisalihgoglu, prodekan në “Yildiz Technical Universitesi”, njëherësh drejtor i Qendrës së Hulumtimeve për Ballkan dhe për Detin e Zi. Z.Mehmeti falënderoi për organizimin e kësaj vizite .

“Qendra jonë tash 6 vjet organizon kurse të gjuhëve të huaja, në këtë kuadër edhe kursin e gjuhës shqipe”, tha ndër të tjera z. Mehmeti, i cili i ishte kushtuar mësimit të gjuhës shqipe me një vullnet të madh.  

Në këtë takim u bisedua edhe për çështje të tjera me interes për bashkatdhetarët nga Turqia.
Kërkesë pothuajse e të gjithë të pranishmëve ishte që programet shqip të futen në kanalet e Turqisë, në mënyrë që të informohen për politikat dhe aktivitetet që zhvillohen në Kosovë.

Në fund të kësaj vizite, bashkatdhetarët nga Turqia falënderuan Ministrinë e Diasporës për pajisjen e qendrës me digjialb, si dhe për realizimin e kësaj vizite.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)