Vizioni evropian është vizion konsensual i Kosovës
Prishtinë, 16 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në Konferencën Gjithëpërfshirëse Roli i Kuvendit në Procesin e Integrimit Evropian, të organizuar sot nga Komisioni për Integrime Evropiane, me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se vizioni për integrimin evropian është vizion konsensual i shoqërisë së Kosovës dhe se kjo është një pikënisje tejet e rëndësishme. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit, shtoi kryetari Veseli, është i përkushtuar tërësisht që të ndihmojë të gjitha proceset që lidhen me integrimin evropian të vendit tonë.
Vetëm pak javë më parë, Kuvendi i Kosovës me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar ligje që dalin nga pakoja e procesit të liberalizimit të vizave, duke i dhënë mbështetje plotësimit të kritereve që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë proces me prioritet të lartë, duke ushtruar edhe presion mbi institucionet përgjegjëse për zbatim sa më të shpejtë të obligimeve të tyre, me qëllim të avancimit të agjendës evropiane, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga ana e Komisionit Evropian, kryetari Veseli e konsideroi një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, e cila, sipas tij, do të hap një kapitull të ri të këtyre marrëdhënieve. Z. Veseli shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të nënshkruhet shumë shpejt.
Kryeparlamentari Veseli vlerësoi se roli i Kuvendit në përshpejtimin e proceseve integruese është i shumëfishtë dhe shtrihet në disa fusha, duke filluar nga
hartimi i një legjislacioni i cili është në përputhje me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian, avancimi i transparencës parlamentare dhe përfshirjes qytetare në proceset legjislative, por edhe fuqizimi i Kuvendit, e rrjedhimisht fuqizimi i demokracisë, me çka arrihet një nga standardet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian: qeverisja funksionale demokratike.
Roli i Kuvendit në proceset integruese të Kuvendit, shtoi kryetari Veseli, shtrihet edhe nëpërmjet zhvillimit të diplomacisë parlamentare, sidomos me vendet fqinje, nëpërmjet fqinjësisë së mirë dhe pa konflikte, si standard dhe vlerë euro-atlantike, parlamentarizmit ekonomik dhe fuqizimit të mbikëqyrjes parlamentare, sidomos të mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Unë jam i bindur se Kuvendi i Kosovës ka të gjithë vullnetin dhe mundësitë që në kohën e duhur të përmbushë këtë rol të shumëfishtë në të mirë të vendit dhe qytetarëve, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Edhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën gjithëpërfshirëse mbi rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, duke folur për procesin e Integrimit Evropian, Ministri Kuçi ka vlerësuar se ky proces është një lloj mjeti i presionit për reformim të shoqërisë duke i dhënë njëkohësisht edhe efektet e veta.
Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim, jo vetëm që hap rrugë në drejtimin e marrëdhënieve kontraktuale, në raport me Unionin Evropian, por i definon qartë përgjegjësit dhe detyrat të cilat duhet ti kryej secili prej nesh, dhe unë dua të besoj se këtë vit, kjo marrëveshje do të nënshkruhet, duke pasur kujdes që të respektohet ajo çka kërkohet nga Bashkimi Evropian, tha Kuçi.
Gjatë kësaj konference, Kuçi informoi të pranishmit lidhur me zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit dhe reformat e ndërmarra me qëllim të konsolidimit të infrastrukturës ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore.
Ai tha se, gjatë hartimin e ligjeve, kanë qenë në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së në Kosove dhe EULEX-in, si dhe partnerët tjerë ndërkombëtar. Kuçi theksoi se këto ligje janë hartuar bazuar në kriteret të cilat kërkohen për Integrim në Unionin Evropian dhe ligje të cilat janë funksionale për Republikën e Kosovën.
Sa i takon ligjeve të cilat kanë të bëjnë me drejtësinë, kemi pasur parasysh katër faktor të rëndësishëm: Pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin. Ju them me bindje të plotë se nuk ka ligje në rajon që pavarësinë e gjyqësorit e garanton me shumë se në vendin tonë, ashtu sikur paanshmërinë dhe profesionalizmin, mirëpo problemi qëndron te efikasiteti tha Kuçi, duke theksuar se nuk është e mjaftueshme vetëm harmonizimi i ligjeve me ato të BE-së e pastaj zbatimi i tyre të ketë ngecje të cilat, sipas tij, vijnë si rezultat i shumë faktorëve.
Kuçi tha se, së bashku me partnerët ndërkombëtar, po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie dhe synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia të vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim.
Ministri Kuçi ka vlerësuar që secili nga akterët përgjegjës duhet ta ruajnë dhe forcojnë besimin në drejtësi. Ai tha se rritja e besimit të qytetarëve në drejtësi është puna jonë, detyra dhe qëllimi ynë.
Kuçi ka theksuar se, gjyqësia profesionale është një nga kushtet kryesore për fuqizimin e besimit në drejtësi, duke potencuar faktin se në mandatin e tij si Ministër i Drejtësisë, është angazhuar që gjyqtarët të kenë mandat të përhershëm si dhe paga e tyre të jetë në nivel me atë të Ministrit.
Gjithashtu Ministri Kuçi i ka njoftuar të pranishmit lidhur me kërkesën që të themelohet një departament pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, për çështjet ekonomike, i cili ka të bëjë me investimet e huaja, që përmes këtij departamenti të krijohet një ambient i përshtatshëm për investitor të huaj. Përveç kësaj, Ministri Kuçi tha se, gjatë këtij mandati kanë themeluar grupin punues për Kodin Civil si dhe atë për Çështjet Pronësore, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës tu lehtësohet puna dhe kështu të fitojnë më lehtë besimin në drejtësi.
Ministri Kuçi shtoi se, ka shumë punë për të bërë për të arritur sistem edhe më funksional. Ai tha se gjatë këtij mandati në veçanti do të bëhet vlerësimi i infrastrukturës ligjore dhe harmonizimi institucional.
Gjatë këtij mandati kam krijuar një komision i cili do të merret me rishikimin e sektorit të drejtësisë. Ky rishikim do të jetë legjislativ dhe institucional. Unë do të angazhohem shumë që sistemi i drejtësisë të ketë sistem dhe hierarki, në mënyrë që të qartësohet se cila është adresa e suksesit por edhe e dështimit tha Kuçi.
Për fund, Ministri tha se marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe liberalizimi i vizave, të cilat lidhen me Ministrinë e Drejtësisë, janë plotësuar në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së dhe të EULEX-it. Jam i bindur që bashkërisht do të bëjmë punë të mëdha.
"Ne kemi mbijetuar si komb, e kemi konsoliduar shtetin tonë, dhe tani duhet të na jepet mundësia që pran shteteve të tjera të ulemi të barabartë, si qytetar, njerëz të drejtësisë, shkencës, politikës e fusha të tjera, ku interesi ynë për këtë barazi nuk do të ishte për të fituar në secilin rast, por pjesëmarrja me të drejta të barabarta, tha Kuçi.