21 Janar 2025

Viti i ri do të nisë me drejtim të ri

Prishtinë, 1 janar -  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë vitit 2015 vendi ynë është ballafaquar me pasojat e viteve të tjera, të cilat kanë qenë joproduktive dhe jo të duhura.

Sipas tij, ajo që ka bërë opozita në 2015-n ka qenë e suksesshme, pasi ka filluar një mënyrë e re e thënies po ose jo nga qytetarët.

“Nuk e shoh vit me të arritura, por e shoh të ballafaqimit të Kosovës me shumë probleme të grumbulluara për shkak të qeverisjes së dobët gjatë viteve të kaluara. Kosova më nuk po i hesht problemet, por po përballet me to, duke mos lejuar të kalojnë pa e thënë fjalën dhe mendimin e vet edhe kur provohet të ngulfatet. Pra, ajo që ka bërë opozita në 2015-n është e suksesshme”, ka deklaruar Haradinaj në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Kreu i AAK-së ka vlerësuar se për shkak të mënyrës se si është qeverisur në vitet e fundit, Kosova është lodhur dhe dërrmuar politikisht e ekonomikisht.

Sipas Haradinajt, tani qeverisja Mustafa - Thaçi ka filluar edhe ta tjetërsojë Kosovën, duke dhënë territor dhe duke shkelur Kushtetutën. Megjithatë, ai ka shprehur optimizëm se në 2016-n Kosova do ta ndryshojë drejtimin qoftë nëpërmjet zgjedhjeve, qoftë nëpërmjet anulimit të marrëveshjeve për Asociacionin dhe për Demarkacionin.

“Ballafaqimi, që ka filluar në vitin 2015, do të vazhdojë edhe në vitin 2016, por është mundësi reale që në vitin 2016, qoftë nëpërmjet zgjedhjeve, qoftë nëpërmjet anulimit të këtyre marrëveshje, Kosova do ta fillojë një drejtim të ri zhvillimor dhe të qeverisjes së përgjegjshme, duke mos u shkaktuar humbje qytetarëve të saj. Pra, në 2016-n mund të jetë mundësia reale për Kosovën që ta ndryshojë drejtimin. Do ta ndalim qeverisjen Mustafa - Thaçi, do t’i anulojmë marrëveshjet e dëmshme si dhe do të ndërtojmë institucione të reja”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se është mundësi reale që në zgjedhje opozita e bashkuar të shkojë me një listë të përbashkët.

“Kërkesa për shkuarje në zgjedhje nuk është bërë për kalkulime të fitores së zgjedhjeve, por është bërë për anulim të marrëveshjeve. Nëse shkojmë në zgjedhje shkojmë jo për pushtet, por për t’i anuluar këto marrëveshje. Është opsion real që opozita të shkojë me një listë të përbashkët. Nuk e di se çfarë detyre mund ta kryej unë pas zgjedhjeve, por e rëndësishme të ndodhë ndryshimi në vendin tonë”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka thënë se 2015-shi ka qenë vit i mirë për AAK-në sepse, sipas tij, aktualisht gëzon rreth 20 për qind të besimit të qytetarëve. “Bashkëpunimin me Vetëvendosje!-n dhe Nismën nuk e kemi bërë për Aleancën, por për Kosovën, përkatësisht për ndaljen e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Ndërsa Aleanca për t’u rritur dhe zhvilluar ka punuar vetë dhe tani ka rreth 20 për qind të besimit të qytetarëve. Nëpërmjet sondazheve shumë serioze që janë bërë kemi pasur rritje të vazhdueshme prej 13, në 15 për qind, së fundi në 19 për qind”, ka thënë Haradinaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)