Viti i parë i Këshillit për Zbatim dhe Monitorim
Prishtinë, 20 shkurt - Gjatë një vitit të kaluar Këshilli për Zbatim dhe Monitorim (KZM) është zhvilluar si një platformë përmes së cilës Qeveria e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Zyra e BE-së dhe misioni i OSBE-së në Kosovë bashkëpunojnë dhe bashkërisht arrijnë vendime për çështje lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore të Kishës Ortodokse Serbe brenda Zonave me Mbrojtje të Veçantë.
Ministri për Ambient dhe Planifikim Hapësinor, Dardan Gashi dhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, po bashkëpunojnë ngushtë me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe Peshkopin Teodosije Shibaliq, Udhëheqësin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, dhe Lehtësuesin e Bashkimit Evropian, Ambasadorin Dimitris Moschopoulos.
Pas përfundimit të sesionit të tyre të njëmbëdhjetë, që njëherit shënon përvjetorin e parë të themelimit të KZM në shkurt 2013, anëtarët vërtetuan praninë e një vullneti të mirë dhe mirëkuptimi mes tyre.
Ambasadori Moschopoulos, i cili e bashkë-drejton KZM bashkë me Ministrin Gashi, përgëzoi qasjen pragmatike të Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Qeverisë së Kosovës për marrëdhënien e tyre konstruktive.
\"Si në çdo proces të ndërlikuar\", tha ai, \"ka ende hapësirë për përmirësim, por ne tani mund të parashikojmë më shumë rezultate konkrete për një të ardhme të afërt pas atyre që tashmë i kemi arritur\".
Përmes angazhimit në KZM Qeveria e Kosovës ka demonstruar një përkushtim në ofrimin e kushteve më të mira për ruajtjen e trashëgimisë së vlefshme fetare e kulturore dhe anëtarësia e KZM mbetet e përkushtuar për të zhvilluar këtë përvojë dhe të sigurohen se rendi dhe ligji po respektohen dhe po forcohen në mënyrë të duhur.
Udhëheqësi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zhbogar, e sheh KZM si një shembull se si \"me durim dhe mirëkuptim dialogu mund të sjellë rezultate.
Me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, KZM ka vërtetuar të jetë një formulë shumë kreative jo vetëm për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë, por edhe për të zhvilluar raporte mirëbesimi ndërmjet komuniteteve për hir të të gjithë qytetarëve\".