Viti 2013 shënon fillimin e integrimit të veriut
Mitrovicë, 18 dhjetor - Viti 2013 cilësohet si vit kthese në fillimin e integrimit të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu u vlerësua të mërkurën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike në Komunën e Mitrovicës, ku u dha një raport përmbledhës për ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar vitin 2013 në sferën e sigurisë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, potencoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës si një ndër të arritur më të mëdha. Këtë vit janë bërë hapa të rëndësishëm në sferën e sigurisë, të cilët premtojnë një të ardhme të mirë për Mitrovicën dhe për veriun e Kosovës në përgjithësi, tha ai.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se përkundër incidenteve që e kanë karakterizuar këtë vit veriun e Mitrovicës, qoftë shpërthime, sulme, rrahje etj, hapat që janë ndërmarrë për normalizimin e situatës atje kanë shënuar kthesë pozitive.
Marrëveshja e 19 prillit për normalizimin e situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u reflektuar pozitivisht në terren. Si rrjedhojë këtë vit ka filluar shpërbërja e strukturave paralele, ndërsa tash së fundi është normalizuar edhe funksionimi i doganave në pikat kufitare 1 dhe 31.
Megjithatë, theksoi Bala, situata ende vazhdon të jetë e brishtë dhe ka nevojë për përkushtim të vazhdueshëm të strukturave të sigurisë, meqë ende ka grupe që sfidojnë rendin dhe ligjin atje. Si sfidë ai përmendi edhe barrikadën mbi Ibër që ka mbetur e paprekur dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Drejtori Bala foli edhe për procesin e rindërtimit në veri. Ai tha se këtë vit, përkundër pengesave që janë bërë nga strukturat paralele, ka vazhduar rindërtimi në lagjet e veriut dhe prej fillimit të këtij procesi në vitin 2009 e deri me tani atje janë rindërtuar 201 shtëpi.
Shikuar nga perspektiva e të ardhmes mund të vlerësohet një vit kthese dhe ne shpresojmë që trendi pozitiv të vazhdoj.
Ai ka falënderuar strukturat e sigurisë, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për punën e mirë që kanë bërë gjatë këtij viti sa i përket situatës së sigurisë. Gjithashtu ka vlerësuar pjekurinë e qytetarëve pa dallim etnik, sidomos atyre në veri të qytetit, të cilët përkundër provokimeve dhe presioneve kanë treguar qartë se e duan rendin dhe ligjin.
Sa i përket punës së Komitetit Lokal për Siguri Publike, Bala përmendi se gjatë këtij viti janë mbajtur 43 takime, ku janë raportuar të gjitha incidentet dhe ngjarjet me rëndësi që kanë ndodhur. Sipas evidencës sonë gjatë vitit 2013 ngjarja më e rëndë ka qenë vrasja e një pjesëtari doganor të EULEX-it në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, tha ai.
Ndërsa sa i përket situatës në jug të qytetit, ai tha se nuk është shënuar asnjë incident i vetëm që në çfarëdo forme kishte me rreziku sigurisë e përgjithshme.
Sipas tij, si më parë edhe sivjet në jug ka pasur lëvizja të lirë për të gjithë qytetarët dhe nuk ka pasur asnjë telashe në këtë drejtim. Së fundi në shumicën e rrugëve kryesore në jug të qytetit janë vendosur edhe kamerat e sigurisë që presim të ndikojnë pozitivisht në parandalimin e veprave të ndryshme penale, qoftë vjedhje, plaçkitje etj, theksoi Bala.