Vinca: Referendumi, zgjidhja më e mirë
Prishtinë, 7 nëntor - Profesori, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali Agim Vinca, në një intervistë për Epokën e re, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Vinca ka thënë se Kosova e kaloi me sukses fazën e parë të pranimit në UNESCO, duke marrë pëlqimin e Bordit Ekzekutiv, edhe pse me rezultat të ngushtë, por ka shprehur frikën e tij se nuk do të ndodhë kështu edhe në fazën e dytë dhe vendimtare, në Asamblenë e Përgjithshme.
Qeveria e Beogradit ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike agresive për ta penguar këtë akt, kurse Prishtina zyrtare kënaqet me disa gjeste e fraza të përgjithshme. Ashtu sikurse për njohjet, edhe për pranimin në UNESCO, më shumë lobon Serbia kundër sesa Kosova pro, ka thënë Vinca.
Profesor Vinca ka folur edhe për Marrëveshjen e 25 gushtit për krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se ky asociacion i ofron komunitetit serb të drejta dhe kompetenca, që i tejkalojnë dukshëm kufijtë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe, madje, edhe dokumentin për statusin e Kosovës, të njohur si pakoja e Ahtisarit.
Shkurt, Marrëveshja e 25 gushtit është tejet e dëmshme për Kosovën. Nuk duhet shumë mend për ta parë se ajo e minon shtetësinë e Kosovës dhe e rrezikon ardhmërinë e saj, është shprehur Vinca.
Ai ka shtuar se nga bisedimet e Brukselit Serbia pati dy përfitime të mëdha. Po i afrohet BE-së, në njërën anë, kurse në anën tjetër po i fut thellë tentakulat e saj në Kosovë nëpërmjet të ashtuquajturës Zajednicë, kurse ne vetëm një MSA. As liberalizim të vizave ende jo, ka deklaruar Vinca.
Duke folur rreth idesë së referendumit për asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, ai ka thënë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Referendumi do të ishte zgjidhja më e mirë. Në vende të ndryshme të botës organizohen referendume për çështje shumë më minore se çështë kjo e Asociacionit, si dhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ka thënë profesor Vinca.
Pavarësisht qëndrimeve të fundit të pozitës dhe të opozitës, Vinca ka thënë se nuk ka rrezik për luftë qytetare në Kosovë. Nuk e ha populli i Kosovës atë karrem!, është shprehur ai.
Vinca ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës dhe Universiteti duhet të zhbllokohen.
Zgjidhjen duhet ta gjejnë ata që janë në krye të institucioneve. Duhet të fillojë dialogu politik mes palëve të konfrontuara: pozitë-opozitë dhe iniciativën për këtë duhet ta marrin ata që e kanë pushtetin e jo të sillen me arrogancë siç po sillen, duke përdorur herë-herë një fjalor që su ka hije as njerëzve të rrugës se jo njerëzve me përgjegjësi të larta shtetërore dhe me tituj të lartë akademikë. Demokracia është dialog, thotë shkrimtari i njohur meksikan, nobelisti Oktavio Paz, ka thënë Vinca.
Ai ia ka përcjellë një mesazh klasës politike. Një gjë duhet pasur parasysh. Ndërkombëtarët vijnë e shkojnë në këtë vend, ne mbetemi. Patëm shumë shpresë te EULEX-i se do ta luftonte plagën e madhe të Kosovës, korrupsionin, por u zhgënjyem. Preokupim kryesor i tij ishte burgosja e ish-luftëtarëve të UÇK-së, për krime lufte e jo kapja e peshqve të mëdhenj që e kanë kapur shtetin. Me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të ndërtojmë partneritet të vërtetë e jo prapa tyre ta fshehim papërgjegjësinë, mosdijen dhe keqpërdorimet tona, ka deklaruar Vinca.
Vinca në këtë intervistë ka folur edhe për problemet më emergjente me të cilat ballafaqohet Universiteti i Prishtinës. Sipas tij, në radhë të parë është problemi i mungesës së kritereve në procesin mësimor dhe në vlerësimin e dijes, si dhe shumë të tjera.
Unë po ndalem me këtë rast te një problem konkret, që më duket jo vetëm akut, por edhe absurd: mungesa e studimeve të doktoratës. Shkarkimi i rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahut, nga ana e Këshillit Drejtues, sidomos vendimi i rrufeshëm i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajramit, për shfuqizimin e atij vendimi dhe shkarkimin e kryetares së KD-së, zonjës Shefkije Islamaj, është një komedi e llojit të vet, ka thënë Vinca.
Vinca ka folur edhe për angazhimin e tij aktual.
Unë jam profesor i pensionuar. Pa orë. Jo orë dore, po orë mësimore, lëndë. Organet kompetente të Fakultetit, ku kam punuar dyzet e saj vjet, nuk e kanë parë të udhës të më angazhojnë këtë vit akademik në asnjërin nivel të studimeve, edhe pse jam nën moshën 70 vjeç. Disa janë angazhuar, disa jo. Me çfarë kriteri nuk e di, por të vlerës me siguri jo. Jam, pra, në një fazë tranzicioni, në kërkim të pozitës sime të re në shoqëri, tha ai. /Epoka e Re/