Vijnë në Kosovë 37 vullnetarë amerikanë
Prishtinë, 5 qershor - Më 7 qershor në Kosovë arrin grupi i dytë i prej 37 vullnetarëve të Korpusit të Paqes së SHBA-ve dhe me këtë numri i përgjithshëm i vullnetarëve të këtij korpusi do të arrijë në 60.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë amerikanë, të cilët vijnë nga e gjithë SHBA-ja dhe punojnë për dy vite si mësimdhënës të gjuhës angleze në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, kryesisht në zonat rurale dhe gjithnjë në bashkëpunim me mësimdhënësit vendor.
Para se të vendosen në komunitetet ku do të punojnë për dy vite si mësimdhënës të gjuhës angleze, vullnetarët mbajnë trajnim intensiv tremujor mbi gjuhën dhe kulturën e komunitetit të tyre; pjesën teorike dhe praktike të mësimdhënies së gjuhës angleze si dhe trajnimin e obliguar mbi sigurinë dhe shëndetin e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë.
Korpusi i Paqes filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga, e cila formalisht nënshkroi një marrëveshje shtetërore me zyrtarë të Korpusit të Paqes në shtator të vitit 2013. Që kur presidenti John F. Kennedy themeloi Korpusin e Paqes me anë të një urdhri ekzekutiv më 11 mars 1961 më shumë se 215,000 amerikanë kanë shërbyer në 140 shtete nikoqire.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes duhet të jenë shtetas të SHBA-ve. Shërbimi në Korpusin e Paqes është një angazhim 27-mujor dhe misioni i agjencisë është që ta promovojë paqen dhe miqësinë botërore dhe të kuptuarit më të mirë në mes amerikanëve dhe popujve të shteteve tjera.