Viets shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin
Prishtinë, 8 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ambasadoren e re të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets.
Në takim është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin, në të gjitha proceset e rëndësishme, duke hapur kështu mundësi të reja për shtetet e Evropës Juglindore.
Diplomacia gjermane është treguar parimore dhe pragmatike në mbështetjen për tejkalimin e sfidave në Ballkanin Perëndimor, ndërsa investitorët gjermanë i kanë dhënë shpresë ringjalljes së ekonomisë në shtetet tona, sepse ata tashmë janë të bindur se stabiliteti i krijuar në rajon është plotësisht i qëndrueshëm, u shpreh kryeministri Thaçi.
Nga ana e saj, ambasadorja Viets pasi ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për pritjen e përzemërt, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin, në interes të të dyja vendeve.