18 Janar 2025

Vetëvendosje: Zyrtarët serbë nuk duhet lejuar të futen në Kosovë

Prishtinë, 16 tetor - Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Vetëvendosje!-s, Glauk Konjufca, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymerin, mbajten konferencë për media lidhur me ardhjen e paralajmëruar të kryeministrit serb në Kosovë Ivica Daçiq.

Në fillim të muajit tetor Qeveria e Republikës së Kosovës ia ndaloi Ivica Daçiqit një vizitë në Shtërpcë.

Konjufca ka vlerësuar se meqë ishim në fillim të fushatës zgjedhore, Kryeministri Thaçi doli në skenë, duke e dhënë një premtim të fortë.

Ai tha se zyrtarëve të lartë serbë do t’iu ndalohet hyrja në Kosovë përgjatë gjithë fushatës elektorale.

Për ta mbështetur dhe rikonfirmuar këtë premtim të guximshëm ishte aty si gjithmonë zv.kryeministri Kuçi i cili tha se vendimi i Qeverisë për moslejimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në shtetin e Kosovës është i padiskutueshëm.

“Nuk shkoi as një javë e plotë dhe Kryeministri Thaçi u takua në Bruksel më Ivica Daçiqin në kuadër të negociatave të vazhdueshme me Serbinë të cilat nuk po kanë të sosur. Dhe, ashtu sikurse me shumicën, për të mos thënë me të gjitha premtimet e Thaçit, kryeministri i ndërroi fjalët, u dorëzua para trysnisë, e mashtroi popullin dhe e shkeli premtimin e tij."

"Pas marrëveshjes me Kryeministrin e Kosovës, pritet që kryeministri serb ta vizitojë Kosovën dhe të bëjë fushatë zgjedhore brenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Ai shtoi se kjo na tregon se Qeveria e Kosovës është tejet e pafuqishme karshi Serbisë.

“Qeveria e Kosovës që nga viti 2011 kur filluan negociatat i ka renditur me radhë koncesionet dhe kompromiset."

"Së pari ishin marrëveshjet e ashtuquajtura ‘teknike’, me ç’rast u mohua parimi i reciprocitetit; Pastaj erdhi autonomia e veriut me polici e gjyqësi të ndarë, si dhe me buxhet paralel për entitetin e kontrolluar nga Beogradi; Lëshimet vazhduan me futjen e telekomit të Serbisë dhe me legalizimin e korporatës energjetike të Serbisë si operator dhe si inkasim; Gjatë negociatave zyrtarët e Kosovës pranuan që nga fletëvotimet e zgjedhjeve të hiqet logoja shtetërore e Republikës së Kosovës; KQZ-ja me urdhrin e politikës po i kontrabandon dhjetëramijëra votues virtualë serbë, në ndërkohë që qindramijëra bashkatdhetarë shqiptarë të diasporës nuk po kanë mundësi të votojnë; Kurse tash, vjen Daçiqi nëpër Kosovë për ta bërë fushatën zgjedhore të Serbëve me sloganet fashiste të Milosheviqit ‘Kosova është Serbi’ e të tjera qëndrime antishqiptare”, theksoi ai.

Tashmë është bërë e qartë se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk po marrin pjesë serbët e Kosovës, por drejtpërdrejt Serbia. Ivica Daçiqi, në cilësinë e kryeministrit të këtij shteti ka paralajmëruar se do të vijë në Kosovë për të bërë fushatë dhe për t’i ftuar serbët që ta votojnë listën prapa së cilës qëndron shteti serb. Serbia po e synon pushtetin në komunat e Republikës së Kosovës.

Duke folur për këtë çështje, Visar Ymeri tha se listat e përbashkëta, të cilat fillimisht u quajtën Lista Serbia, formalisht e ndryshuan emërtimin, pra tash quhen listat e përbashkëta serbe, por përmbajtësish ato mbetën të njëjta.

“Ato po shërbejnë për t’i shpërlarë kriminelët serb të luftës duke i mveshur ata me petkun e politikanit të moderuar, duke i kthyer ata në bartës liste në vendin e krimit, siç është rasti me Listën serbe në Komunën e Gjakovës dhe bartësin e kësaj liste, ish kryetarin e Gjakovës Gjokica Stanojeviqin, i cili kur ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës në kohën e Millosheviçit ka qenë edhe organizator edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në krimet që janë kryer kundër shqiptarëve në Gjakovë."

"Dhe për ta konfirmuar këtë përmbajtje, dhe këtë lidhje të listave këtu me pushtetin e Milosheviqit dhe shtetin e Serbisë, fushatën për to do ta bëjnë pushtetarët e Serbisë. Sepse, pavarësisht emrit, është Serbia ajo që po garon për pushtet në Kosovë”, theksoi Ymeri.

Vizitat e krerëve shtetëror të Serbisë nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë. Politika e Serbisë karshi Kosovës është armiqësore. Përveç kësaj krerët politik të Serbisë në Kosovë e duan instrumentalizimin e pakicës serbe këtu për qëllimet e tyre të kontrollit faktik të pjesëve të caktuara të territorit.

Daçiqi është bashkëpunëtor i Millosheviqit, pra bashkëpjesëmarrës në krimet e kryera ndaj shqiptarëve, dhe njëkohësisht financues dhe mbështetës politik i strukturave paralele që po ashtu kanë qenë të përfshirë në krime kundër shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës.

Ardhja e tij këtu pa përfillur kurrfarë protokolli shtetëror nuk ka të bëjë fare me lëvizjen e lirë: ardhja e Daçiqit në Kosovë është liri e kriminelit të kthehet në vendin e krimit. Ai nuk po vjen në Kosovë duke e respektuar protokollin shtetëror.

Sipas rregullave protokollare kur një zyrtar i lartë i një shteti viziton shtetin tjetër, atij i organizohet nga institucionet shtetërore vizitat. Madje, edhe nëse kjo vizitë është tërësisht private. Daçiqi në Kosovë po vjen për të marrë pjesë aktive në fushatën zgjedhore, si kryeministër i Serbisë.

Ai e përcakton vet agjendën e tij dhe vendet që do t’i vizitojë, duke u vepruar kështu sikur Kosova të kishte qenë pjesë e Serbisë. Pranimi që po ia bën kësaj vizite Thaçi, është pranim i këtij qëndrimi politik të Daçiqit dhe i sjelljeve të tij.

Duke folur për zaptimin e institucioneve të Kosovë nga ana e Qeverisë, Ymeri tha se me urdhër të Kryeministrit Thaçi, të hënën KQZ-ja e plotësoi edhe një kërkesë të Ivica Daçiqit, duke e emëruar tërësisht në mënyrë të kundërligjshme dhe antikushtetuese anëtarin serb të deritashëm të KQZ-s si zëvendës Kryeshef Ekzekutiv të SKQZ-s.

“Në të njëjtën ditë që ky anëtarë i KQZ-së kishte parashtruar dorëheqjen pranë Presidentes dhe ende pa e miratuar dorëheqjen e tij, në një mbledhje të jashtëzakonshme të kërkuar nga përfaqësuesit e PDK-së dhe të mbështetur nga AAK-ja, AKR-ja dhe anëtarët nga komuniteteve, ai u emërua zi zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i SKQZ-s jashtë procedurave dhe pa konkurs publik”.

Lëvizja Vetëvendosje! e mbron qëndrimin se zyrtarëve shtetërorë serbë duhet t’iu ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por deri në momentin kur Kosova të njihet nga Serbia dhe të fillojë aplikimi i parimit të reciprocitetit.

Kurse, disa zyrtarëve si puna e kryeministrit të Serbisë Daçiq, apo e Presidentit të Serbisë Nikoliq, duhet t’iu ndalohet hyrja në Kosovë sa të jenë gjallë, për shkak se ata ishin pjesë aktive dhe përgjegjëse e makinerisë shtetërore gjenocidale të Serbisë kundër popullit shqiptar.

Daçiqi e Nikoliqi e të ngjashëm si këta, të cilët në Serbi janë me mijëra ia kanë Kosovës një borxh që nuk do të mund t’ia shlyejnë kurrë. Sepse jeta e njerëzve është e pakthyeshme. Sepse gjaku i derdhur, vuajtjet, torturat, mundi dhe sakrificat janë të pashlyeshme. Zyrtarët e Republikës së Kosovës do të duhej të silleshin konform ndjenjës së popullit dhe përpjekjes së mundimshme për liri.

Prandaj, Vetëvendosje i bënë thirrje aparatit shtetëror, policisë, AKI-së dhe institucioneve tjera që t’i kryejnë detyrat e tyre ligjore dhe obligimet që ato i kanë karshi sovranitetit të vendit dhe sundimit të rendit dhe ligjit në vendin tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)