22 Janar 2025

Vetëvendosje: Veseli është duke u frikësuar nga historia kombëtare

Prishtinë, 12 tetor -  Lëvizja Vetëvendosje! (VV), ka reaguar ndaj zëvendësimit të muraleve në Kuvendin e Kosovës.

Kjo lëvizje nëpërmjet një komunikate për medie, ka thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli është duke u frikësuar nga historia kombëtare, pasi muralet e zbuluara ditë më parë nga opozita kanë motive krejtësisht kombëtare.

“Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në kampionatin evropian, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit, sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar. Përmes këtij veprimi, Kadri Veseli, e shpërfaq ‘demokracinë’ e vërtetë në Kuvendin, kryetar i të cilit u instalua: për ato murale asnjëherë nuk u pyetën deputetët, nëse duhet të mbulohen, madje as që u diskutua fare për to. Kokë më vete, larg syve të publikut, Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë”, është thënë në komunikatën e Vetëvendosje!-s.

Sipas kësaj lëvizje, në kohën kur “Zajednica” po e kërcënon Kosovën, e Qeveria po rrënon integritetin e Kuvendit, Veseli po e uzurpon vendimmarrjen deri edhe te disejnimi estetik i hollit të Kuvendit.

“Kadri Veseli ka bërë çmos për ta përmirësuar imazhin e tij. Trashëgiminë e shefit të SHIK-ut është munduar ta shpërlajë me paraqitjen e tij prej një kryetari jashtëzakonisht të kujdesshëm të Kuvendit. Por ky është vetëm imazhi i Veselit. Veseli i vërtetë mbetet ai i SHIK-ut, shefi i punëve të fshehta, ai i vendimeve dhe veprimeve sekrete”, është thënë në këtë komunikatë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)