Vetëvendosje vendos Flamurin kombëtar në Merdar
Prishtinë, 26 nëntor - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! organizuan sot një aksion simbolik në Merdar me qëllim vendosjen e flamurit kombëtar dhe një tabele ku shënohej Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë.
"Ne zgjodhëm për ta vendosur flamurin kombëtar në Merdar në përkujtim të betejës së Hasan Prishtinës 100 vite më parë, i cili organizoi luftë mbrojtëse pikërisht në këtë zonë kundër forcave serbe që po sulmonin Shqipërinë", thuhet në deklaraten e Vetëvendosjes.
Me të filluar vendosja e flamurit kombëtar në një shtyllë pranë pikës kufitare në Merdar, Policia e Kosovës intervenoi për ti penguar aktivistët.
Me gjithë këtë intervenim, aktivistët ja arritën që të ngrenë flamurin kombëtar si dhe të vendosin tabelën Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë, të cilat u hoqën më pas nga Policia e Kosovës, me tu larguar aktivistët tanë.
"Është e çuditshme se si në të gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe sheshet e vendit është vendosur në mënyrë masive flamuri kombëtar, madje dhe Kryeministri e Presidentja janë duke marrë pjesë në aktivitete ku nderohet ai, e i vetmi vend ku u ndalua të vendosej flamuri kombëtar shqiptar është pikërisht kufiri përballë Serbisë."