Vetëvendosje: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese antishqiptare

Prishtinë, 9 prill - Sot në ditën e dyvjetorit të Kushtetutës së Kosovës, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! organizuan një aksion simbolik përmes së cilit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj sipas tyre "Kushtetutës së imponuar të Kosovës si dhe vendimeve antikombëtare të Gjykatës Kushtetuese".
Vetëvendosje e cilësoi Gjykatën Kushtetuese si gjykata më e lartë e Planit të Ahtisaarit ku sipas tyre me vendimet e saj të para ajo ka treguar se sa e etur është që ti shkojë zbatimit të këtij plani antishqiptar deri në fund.
Fatin e stemës së Kuvendit Komunal të Prizrenit sipas Vetëvendosjes do ta kenë edhe ato pak institucionet të mbetura me simbolikë kombëtare shqiptare.
"Mision i kësaj gjykate është që Kosova të bëhet joshqiptare ku kjo gjykatë me vendimet e veta po e sulmon dhe fyen popullin shumicë të Kosovës, po na e përdhos identitetin dhe historinë", kanë thënë udhëheqës të Vetëvendosjes.
Vendimet e saj sipas tyre gjykata po i arsyeton me interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës.
"Kushtetutë Kosova ka pasur edhe në kohën e Rankoviçit, por ajo nuk ka qenë jona. Ligj ka pasur edhe në kohën e Rrahman Morinës, por ai ka qenë i huaj. Në çastin që gjithçka arsyetohet me zbatim të ligjit, njerëzit bëhen robotë. Ligji duhet të jetë yni, jo i Ahtisaarit", drejtues të kësaj levizje.
Ata po ashtu kanë thënë së Gjykata Kushtetuese nuk është marrë asnjëherë me veprimet e përditshme antikushtetuese të strukturave paralele të Serbisë. Kjo sipas tyre do të thotë që ose gjykata i konsideron këto struktura të drejta, ose vetë e shkel Kushtetutën të cilën e zbaton vetëm kur është nevoja kundër shqiptarëve.
Gjykata Kushtetuese nuk është marrë as me postet e dyfishta antikushtetuese të Kryeministrit e të Presidentit.
"Drejtësia selektive është padrejtësi. Padrejtësia është ekskluzivisht antishqiptare. Kjo gjykatë, ashku sikurse edhe të gjitha gjykatat tjera të EULEX-it dhe Planit të Ahtisaarit, janë për faqe të zezë. Ato na e qitën faqen e zezë", ka vlerësuar në fund Vetëvendosja.