Vetëvendosje sot proteston kundër ndarjes së Mitrovicës
Vetëvendosje i ka bërë ftesë qytetarëve të Mitrovicës dhe qyteteve tjera të Kosovës të bashkohen dhe së bashku ta ngren zërin kundër padrejtësive që po ndodhin në procesin negociator apo në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Tubimi protestues, i thirrur nga lëvizja Vetëvendosje, do të jetë zëri kundërshtues i marrëveshjes për veriun, e cila pritet të arrihet me 2 prill në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Sheshi Mehë Uka, që ndodhet pranë urës kryesore të lumit Ibër, ende me barrikada, është vendi ku do të mblidhen qytetarët, duke filluar nga ora 13:00.
Protesta parashikohet të zgjasë dy orë, pra deri në orën 15:00. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe nënkryetari, Shpend Ahmeti, pritet të flasin para qytetarëve.
Kjo sipas Vetëvendosjes nevojitet për shkak se gjuha e vetme që e kupton Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtarë është gjuha e popullit dhe qytetarëve, kur bëhen bashkë për të protestuar për gjëra për gjëra që nuk janë të drejta dhe nuk janë në interes të tyre.
"Me këtë tubim protestues, ne dëshirojmë ti tregojmë Catherine Ashton, palës serbe, Qeverisë së Kosovës, se marrëveshja që do të arrihet me 2 prill, do të jetë marrëveshje e Hashim Thaçit, dhe assesi marrëveshje e pranueshme për Republikën e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, e sidomos jo për Lëvizjen Vetëvendosje"
Mitrovica është qyteti i cili gjithnjë është veçuar për shumëçka. Para luftës Mitrovicë shquhej si qytet prodhues dhe me rëndësi industriale.
Në Mitrovicë gjendet miniera e Trepçës si dhe Liqeni i Ujmanit. Në atë kohë Trepça shquhej si shtylla kryesore për zhvillimin e Kosovës në shumë aspekte. Dihet se Trepça si gjigant që ishte, ishte konkurrent i shumë minierave në Evropë.
Liqeni i Ujmanit po ashtu ishte në funksion të plot dhe shumë i rëndësishëm për aspektin energjetik. Ishte qytet kulturor ku për shkak të mirëqenies ekonomike edhe ndarjet etnike ishin më të vogla se sa pas luftës.
Pas luftës ndryshoj realiteti në mënyrë të hidhur. Qyteti i Mitrovicës u nda në dysh, duke mos u lejuar ushtarët dhe populli shqiptarë që ta kalojnë Lumin e Ibrit.