Vetëvendosje sot në protestë për të bllokuar pikat kufitare me Serbinë
Deputetë dhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar nisjen e organizuar drejt pikave kufitare me Serbinë, Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Pak pas orës 11 nga selia e Vetëvendosjes në Prishtinë u nis drejt Merdarës dhe kryetari Albin Kurti me deputetë dhe anëtarë të kryesisë. Protesta pritet të nisë në orën 13:00, siç është njoftuar gjatë ditëve të fundit nga lëvizja Vetëvendosje.
Në lëvizjen Vetëvendosje thonë se policia i ka këshilluar që të afrohen jo më shumë se 100 metra larg pikës kufitare në Merdarë, që përbën sic duket edhe kufirin e fundit për vendnodhjen e protestës.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë ftuar që në tubimin e tyre të marrin pjesë edhe shqiptarë nga Shqipëria.
Aksioni është pjesë e fushatës "Në mbrojtje të Republikës, Për prodhime të vendit, Serbia nuk kalon", me ç`rast kërkohet respektimi i vendimit të Parlamentit të Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.
"Protesta e 14 janarit nuk është kundër serbëve në përgjithësi, e serbëve në Kosovë në veçanti, por kundër Serbisë dhe në përputhje me vendimin e Kuvendit për reciprocitet të plotë", ka theksuar lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje!", Albin Kurti.
Bëhet e ditur se sot rreth orës 7:00 të mëngjesit, dy autobusë janë nisur nga Tirana, për t`ju bashkuar këtij aksioni.
Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka bërë të gjitha pregaditjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ të quajtur Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do ti ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në terë territorin e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës po ashtu bënë të ditur se nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë qasje e protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Me qellim të ruajtjes së rëndit dhe qetësisë publike, Policisë së Kosovës në bazë të vlerësimeve nga aspekti i sigurisë, ligjërisht i lojehet dhe do ti ndalojë të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje e që përmes veprimeve të tyre ta cenojnë sigurinë e vendit si dhe të Prishin Rendin dhe Qetësin Publike.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që tu shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve.