Vetëvendosje shënoi trevjetorin e protestës së shkurtit
Prishtinë, 10 shkurt - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot përkujtojnë protestën e përgjakshme të 10 shkurtit të vitit 2007, kur humbën jetën edhe dy protestues Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Në nderim të viktimave të rëna gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe tek varri i Mon Balajt në Podujevë, ndërkohë që homazhe do të bëjë pasdite edhe tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë.
Në përkujtim të këtyre të vrarëve, do të vendosen lule edhe te pllaka përkujtimore në sheshin Nëna Terezë, kurse në kinemanë ABC do të shfaqet filmi 10 Shkurti. Ndërkaq, në orët e vonshme është paralajmëruar mbajtja e një akademie përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Aktivistët e kësaj lëvizjeje, edhe pas tre vjetëve, kërkojnë që vrasja e qytetarëve kosovarë nga policët e kontigjentit rumunë të zbardhet.
Nga ana tjetër lidhur me këtë ngjarje më 15 shkurt para gjykatës është thirr të dal edhe një herë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Glauk Konujfca, udhëheqës në këtë organizatë ka thënë dje se gjyqet që po i bënë EULEX-i, janë vetëm vazhdimësi e gjykatave të UNMIK-ut.
Në trevjetorin e vrasjes se Mon Balajt dhe Arben Xheladinit ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Kryetari i KMDLNJ-së Behxhet Shala tha se edhe pas tre vjetëve, këta asnjëherë nuk janë distancuar nga ai krim dhe këtë nuk e bëjnë as sot. Sipas tij KMDLNJ kërkon nga Institucionet e Kosovës që botërisht ta dënojnë këtë krim, të insistojnë të rinisin hetimet në mënyrë që drejtësia të çohet në vend. KMDLNJ po ashtu kërkon nga Parlamenti i Kosovës që ta ketë si pikë të veçantë 10 shkurtin 2007, ditën kur në mënyrë të dhunshme u shkel e drejta elementare e njeriut, e drejta e fjalës së lirë dhe protestës paqësore.
Reagimin e saj e ka dhënë edhe organizata e njohur ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International. Kjo organizatë ka shprehur shqetësimin për vonesën për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.
Në një komunikatë të lëshuar për media kjo organizatë vëren me shqetësim se duket që gjithnjë e më shumë se ata që janë përgjegjës për vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda nuk po japin llogari, ndërkohë që as familjet e viktimave dhe të plagosurit nuk po dëmshpërblehen.
Sot më 10 shkurti 2010 bëhen tri vite kur kontigjenti rumun i policisë së UNMIK-ut në një protestë të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje vrau dy protestues paqësorë, Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si edhe plagosi rëndë dhe lehtë mbi 80-të protestues.