Vetëvendosje rikthehet në Kuvend
Prishtinë, 6 qershor - Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar rikthimin në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, gjatë konferencës për media ka thënë se organet e partisë kanë vendosur për rikthimin në Kuvend.
Do të bëjmë opozitën ashtu siç e kemi bërë çdo herë, është shprehur Ymeri.
Ymeri ka thënë se sot në mëngjes bashk me grupin parlamentar kanë vendosur që tu kthehet punëve të Kuvendit, raporton lajmi.net.
Ai ka njoftuar se me këtë do të rifillojnë fushatën e mëhershme të pengimit të ratifikimit në Kuvend të dy marrëveshjeve, sipas tij të dëmshme për vendin.
Bojkotimi i Kuvendit i cili kishte ardhur si vendim i përbashkët i opozitës së bashkuar, sipas Ymerit ka treguar efekt negativ, duke bërë që pushtetit ti lihen duart e lira për të vepruar.
Ndërsa, Glauk Konjufca, ka thënë se opozita do të vazhdojë kundërshtimin e dy marrëveshjeve. Sipas tij Zajednica nuk do të jetë e pranueshme dhe do të kundërshtohet me të gjitha format.
Gjithashtu, ai ka kritikuar partitë në qeveri të cilat sips tij po tentojnë që Demarkacionin ta sjellin për ta votuar në Kuvend.
Konjufca nuk e ka përjashtuar bashkëpunimin e opozitës për ti penguar këto dy marrëveshje.
Kthimin në Kuvend, ai e ka ndërlidhur edhe me angazhimin e Vetëvendosjes kundër ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe kundërshtimin e nismës së qeverisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.