Vetëvendosje: Radiotelevizioni i PDK-së
Prishtinë, 28 janar - Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi se Radio Televizioni i Kosovës nuk e meriton këtë emërtim, pasi, sipas tyre, ky institucion që paguhet nga paratë e qytetarëve të Kosovës ka kohë që nuk u shërben fare atyre.
Sipas Vetëvendosjes, RTK, i themeluar nga UNMIK-u, duke realizuar interesat e secilit grupim partiak nga pak, kishte fituar një lloj kredibiliteti, kredibilitet ky që i nevojitej UNMIK-ut për ta mirëmbajtur konsensusin mbi proceset politike të kohës.
Me të ndryshuar raportet e pushtetit, ndryshojnë edhe interesat, e me të ndryshuar interesat, ndryshojnë edhe njerëzit që do ti shërbejnë interesave dhe axhendës së re. Stërkeqja e RTK-së është në përputhje të plotë me degradimin e Kosovës nga pushteti i PDK-së. Sa më shtypës dhe i padrejtë është pushteti, më shumë dezinformim e propagandë shpifëse bën RTK-ja. Sa më në rrezik që është PDK-ja aq më shumë kjo parti uzurpon hapësirë mediale në RTK, thekson Vetëvendosje në reagimin e tyre.
Sipas kësaj Lëvizjeje, puna që kryen RTK është larg nga funksioni i sofistikuar propagandistik.
Aq shumë janë afër e të njësuar me pushtetin redaktorët e saj, sa nuk arrijnë dot as të manipulojnë përmes gjysmë të vërtetave, as të krijojnë ndonjë imagjinare të rremë mbi realitetin. Ata janë vetë pushteti. Me lajmet e saj, renditjen e tyre, me transmetimet direkte të partisë, PDK-ja, pardon RTK-ja po ia çjerrë maskën vetvetes, thuhet në kumtesën e Lëvizje Vetëvendosje.
Sipas tyre, propaganda është gjithmonë funksion dhe shërbim duke shtuar se ajo ka për qëllim vazhdimin e natyrshëm dhe normal, pa u vënë në pikëpyetje pushteti shtypës që zakonisht thelbin e ka diku tjetër dhe sipas tyre kjo nuk vlen në rastin e RTK-së.
\"Aty janë bashkë pushteti dhe propaganda. Aty ku ky pushtet formalisht nuk ka privatizuar, përmbajtësisht e ka bërë këtë gjë përmes përvetësimit e grabitjeve.\"
\"Nënkontraktimet për emisionet e prodhuara në RTK që u janë dhënë kompanive të udhëheqësve të RTK-së, janë një formë privatizimi i televizionit publik. RTK është vetë mënyra e pushtetit. Ajo është e kapur, i mungon edhe distanca minimale, andaj edhe nuk i kryen dot punë atij. RTK madje nuk i shërben as Qeverisë. RTK është PDK\", theksoN Lëvizja Vetëvendosje.