02 Maj 2024

Vetëvendosje: Qeveria duhet ti mbrojë qytetarët jashtë vendit

Prishtinë, 22 tetor -  Në qershor të vitit 2010, Qeveria ka mirtaruar ligjin për ripranim. Sipas këtij ligji, Kosova duhet të pranojë prapa të gjithë qytetarët e saj që qëndrojnë ilegalisht në Bashkimin Evropian, si dhe shtetas të vendeve të treta nëse shteti anëtar mund të dëshmojë se ata kanë hyrë në BE përmes Kosovës. 

Kosova ka nënshkruar marrëveshje mbi ripranimin me 14 vende evropiane (Shqipërinë, Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Luksemburgun, Malin e Zi, Holandën, Norvegjinë, Slloveninë, Suedinë dhe Zvicren).

Lëvizja Vetëvendosje! vlerëson se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeverisë së Kosovës t’i tërhiqet vërejtja për mënyrën se si po hyn në marrëveshje bilaterale me shtetet evropiane, në të cilat jeton diaspora jonë.

Kjo sipas kësaj lëvizjeje vlen sidomos për marrëveshjet për riatdhesim e ripranim, që janë kusht në dialogun për liberalizim të vizave. Këto marrëveshje prekin drejtpërdrejtë jetërat e shtetasve të Kosovës, kudo që ata jetojnë.

Puhie Demaku nga Lëvizja “Vetëvendosje” tha se këto marrëveshje nuk janë në favor të qytetarëve të Kosovës.

“Këto marrëveshje prekin drejtpërdrejtë jetën e shtetasve të Kosovës kudo që jetojnë ata. Ne duam të tërheqim vëmendjen pikërisht te mënyra se si po bëhet kjo se si po nënshkruhen marrëveshjet dhe ne jemi për marrëveshjet në parim, por nuk jemi për marrëveshje pa parime”, ka thënë Demaku.

Demaku ka thënë së është detyrë e shtetit amë që të marrë përgjegjësi për mirëqenien e shtetasve të vet kudo që gjinden ata. Nuk mund të presim që shtetet e tjera të kujdesen për dinjitetin e diasporës tonë nëse vet Kosova dhe Qeveria e saj nuk bëjnë përpjekje që marrëveshjet të strukturohen në atë mënyrë që ligjërisht të mbrohen qytetarët tanë nëpër botë.

Për më tepër, ajo ka thënë se është analizuar marrëveshjen për transferimin e të burgosurve, që është përgatitur për nënshkrim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës. Për këtë marrëveshje jemi njoftuar nga autoritetet zviceriane, që edhe një herë tregon se kjo Qeveri i mbanë në terr informativ edhe mediat edhe popullin, në mënyrë që ata të gjenden para aktit të kryer në raport me të drejtat e tyre të pamborjtura.

Faton Topalli tha se ka analizuar marrëveshjen për transferimin e të burgosurve, që është përgatitur për nënshkrim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.

Ai tha se për këtë marrëveshje është njoftuar nga autoritetet zvicerane, meqë Qeveria ende nuk e ka bërë publike. Kthimi i shtetasve të Kosovës në Zvicër për ta vuajtur dënimin në Kosovë është i mundshëm në rastet kur ata bëjnë vepra penale, të cilat dënohen me ligj në të dy vendet, ka thënë Topalli.

Pas shitjes së pasurisë së Kosovës dhe futjes së vendit në kolaps ekonomik, Qeveria e Thaçit sipas tij ka filluar t’i përdorë qytetarët e saj jashtë vendit si plaçkë tregu për të siguruar mjete materiale dhe për të rregulluar reputacionin e saj në këto vende edhe ashtu të rënë përtokë.

“Padrejtësisht kthimi në Kosovë është i mundëshëm edhe pa pajtimin e palës së dënuar. Shpenzimet e vuajtjes së dënimit dhe ato për riatdhesim i bartë shteti që ka shqiptuar dënimin. Kthimi i shtetasve të Kosovës në Zvicër për ta vuajtur dënimin në Kosovë është i mundshëm në rastet kur ata bëjnë vepra penale të cilat dënohen me ligj në të dy vendet.”
Kjo marrëveshje është e dëmshme për shkak se krijon mundësi që në Kosovë të kthehen shtetas të cilët pjesën dërmuese të jetës së tyre e kanë kaluar në Zvicër apo që kanë lindur aty. Ajo bie në ndesh edhe me ligjet zviceriane dhe përcaktimet evropiane për integrimin e të dënuarve në shoqëri, duke bërë të mundëshëm kthimin e shtetasve të Kosovës në një ambient kulturor prej të cilit ata janë larguar shumë kohë më parë, apo të cilin ata nuk e njohin fare.

Zvicra hyn në radhën e vendeve që kanë traditë dhe një provojë gati prej gjysmë shekulli në marrëdhëniet e përbashkëta shqiptaro-zviceriane.

Shqiptarët në Zvicër, si fuqi e lirë punëtore kanë luajtur një rol të madh në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij vendi. Ky rol jo rrallë herë është heshtur apo nënvleftësuar.

Zvicra gjatë okupimit serb në Kosovë ka pranuar një numër të madh refugjatësh nga Kosova. Përveç tjerash ajo ka ndihmuar shumë dhe po ndihmon edhe tani në rindërtimin e vendit pas luftës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka një qëndrim shumë pozitiv për Zvicrën dhe dëshirojmë që këto marrëdhënie të zhvillohen pozitivisht. Shtetasit e Kosovës në Zvicër janë një urë e mirë miqësie për të dy palët.

Mirëpo ndihma që Zvicra i ka bërë Kosovës s’duhet  të keqpërdoret si Kapital për tu përdorur kundër interesave të shtetasve të Kosovës në Zvicër.

Kundër një qasje të tillë janë jo vetëm shtetasit e Kosovës në Zvicër, por edhe shumë rrethe në Zvicër, të cilat dëshirojnë që marrëdhëniet shqiptaro-zviceriane të ndërtohen mbi bazën e reciprocitetit, interesave të përbashkëta dhe mbështetjes së ndërsjellë. Vetëm marrëdhëniet e tilla si me Zvicrën ashtu edhe me shtetet tjera në politikën e jashtme mund të kenë jetë të gjatë.
Marrëveshja për Transferimin e të burgosurve nga Zvicra në Kosovë dhe anasjelltas ka parasysh vetëm interesat zvicerane. Ne jemi për atë që me shtetet mike si Zvicra të merren parasysh dhe aty ku është e mundshme të mbështeten interesat zvicerane,  por kjo nuk duhet të ndodhë mbi kurrizin e shtetasve të Kosovës në Zvicër.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga  Qeveria e Kosovës, që ta ndryshojë tekstin e kësaj marrëveshje, duke ia shtuar asaj edhe të drejtat e njeriut, të drejtën për të vendosur vet nëse personi i dënuar dëshiron ta mbajë burgun në vendin ku i është shqiptuar dënimi, apo në Kosovë.
 
Trajtimi që po u bën Qeveria e Kosovës shtetasve të saj jashtë vendit, në praktikë ndryshon pak nga trajtimi që u bënte atyre ish Jugosllavia dhe më vonë Serbia. Ky ndryshim qëndron në faktin që kjo Qeveri kujdeset edhe më pak për të drejtat sociale të shtetasve të Kosovës. Këtë e vërteton praktika në lidhje me sigurimet shoqërore, plaçkitja në kufi në emër të kartonit të gjelbërt, marrëveshjet për riatdhesim, marrëveshjet për transferimin e të burgosurve dhe papërgjegjësia maksimale e Qeverisë në raport me interesat e shtetasve që jetojnë jashtë vendit.

Pllakatet e Ministrisë së Diasporës në të gjitha qytetet e Kosovës,  të vendosura gjatë pushimeve verore “Mirë se erdhët mërgimtarë” marrin kuptimin e plotë të trajtimit faktik vetëm kur atyre t’ju shtohen edhe fjalët “për t’iu plaçkitur”. Në këtë kuptim mirëseardhja ka kuptim për Qeverinë e Kosovës, por jo edhe për shtetasit e Kosovës jashtë vendit.


 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)