Vetëvendosje protestuan kundër bisedimeve Kosovë - Serbi
Prishtinë, 21 qershor - Anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, hodhën domate mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Protestues të kësaj lëvizjeje, u mblodhën sot në oborrin e qeverisë së Kosovës në kohën kur atje po qëndronte ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë Serbi, Robert Cooper.
Gjatë protestës, ata hodhëm domate të kalbura, së pari, mbi Robert Cooper, e pastaj mbi hyrjen e ndërtesës së Qeverisë.
\"Ne besojmë që në aspektin fizik dhe hapësinor, Qeveria nuk duhet të ketë fare oborr: le të punojnë në atë ndërtesë të lartë me pafund zyra që i kanë kurse oborri aty duhet ti përkasë qytetarëve të cilët edhe ashtu kanë aq pak hapësirë publike\", kanë thënë aktivistë të Vetëvendosjes.
Në anën tjetër, në aspektin politik, e gjithë Kosova sipas tyre duhet të jetë oborr i Qeverisë sepse në vend se të përgatiten për rifillimin e dialogut me Serbinë, tash për veriun e Kosovës, qeveritarët duhet ti shërbejnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, interes jetik i të cilëve është sovraniteti dhe integriteti territorial. Kosova duhet ti ketë kufijtë e mbrojtur e jo ndërtesa e rrethuar me grila e Qeverisë.
\"Sot, ne protestuam kundër qëndrimit paternalizues e shtrëngues të përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper, e në të njëjtën kohë kundër qëndrimit servil e të padenjë të qeveritarëve të Kosovës.\"