Vetëvendosje proteston sot në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë
Vetëvendosje do të protestojë pavarësisht faktit se Parlamenti i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë -Serbi.
Protestuesit sipas itinerarit do të nisen drejt pikave kufitare nga mesdita, kur do të bllokojnë drejtimet rrugore pranë pikave kufitare.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën "jokushtetues dhe të turpshëm" mocionin dhe thanë se me protestat e sotme synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media i bëri thirrje protestuesve që të mos i bllokojnë rrugët kryesore, të mos bllokohet qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan.
Policia e Kosovës bëri të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në përpjekje për të shmangur një përsëritje të protestës së 14 janarit që u shoqërua me dhunë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dje ka takuar ndarazi drejtuesit e partive politike, të cilëve u ka bërë thirrje që të kërkojnë zgjidhje për të gjitha çështjet brenda institucioneve të Kosovës.