05 Maj 2024

Vetëvendosje protestë kundër ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit

Prishtinë, 27 janar - Lëvizja Vetëvendosje! ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkangjiten të dielën në orën 12:00 protestës së organizuar nga qytetarët e nga shoqëria civile, në ruajtje të Qendrës Historike të Prizrenit, dhe kundër ligjit të ri që po synon të imponojë partia në pushtet.

Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se e mbështet këtë protestë edhe në parim, edhe si aksion për arsye se Ligji bie në kundërshtim me parimet dhe frymën republikane e me kushtetutën, ai cënon laicitetin e shtetit, cënon neutralitetin në çështje të fesë, dhe është diskriminues, pra cënon barazinë përballë ligjit.

Një ligj i tillë sipas kësaj levizje përbën material për hapje plagësh të vjetra e të reja, duke nxitur diferencimin e dasitë në baza etnike e religjioze.

"Ndërkohë që në Kushtetutë parashihet laicizmi e neutraliteti i shtetit në çështje fetare, në ligjin që synohet të kalohet në parlament parashihet ngritja e një Komiteti që do të administrojë Qendrën Historike të Prizrenit, përbërja e të cilit do të jetë prej tre religjioneve, duke përjashtuar kështu religjione të tjera, e ç’është më e keqja, duke e zëvendësuar konceptin e qytetarisë, si koncept bashkues, me një koncept dallues, siç është religjioni."

Lëvizja Vetëvendosje! konstaton me shqetësim se ky ligj cënon rëndë trashëgiminë kulturore, që i përket popullit të Kosovës, dhe e cila duhet të rregullohet e të mirëmbahet institucionalisht, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare e kombëtare, e jo sipas dëshirës së njërit apo tjetrit komunitet.

Ky menaxhim që propozon partia në pushtet sipas Vetëvendosjes është në kunëdrshtim me Konventën e UNESCO-s e me një sërë dokumentesh të rëndësishme për trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e saj.

"Ligji i ri për Qendrën Historike të Prizrenit, mbi të gjitha përbën një akt arbitrar kundër vullnetit të qytetarëve të shprehur në aktivitete të ndryshme, por edhe në një peticion që ka mbledhur mbi 10.000 firma gjatë vitit 2011."

Kjo tendencë e rrezikshme e qeverisë sipas Vetëvendosjes e zhbën qytetin, e zhvesh atë prej qytetarëve, e në të njëjtën kohë nxit urrejtjen e konfliktet mes tyre.

Projektligji jo vetëm që nuk ka marrë miratimin mbarëqytetar, por që gjatë kohës së hartimit të tij ka filluar të nxisë konflikte mes komuniteteve religjioze në qytet e më gjerë.

"Ligji në fjalë pengon tërësisht zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Qendrës së Prizrenit, dhe e merr peng këtë territor, duke ndjekur shembullin negativ të eksterritorialitetit të Kishave e Manastireve Ortodokse, që gjithashtu janë trashëgimi kulturore e Kosovës, por që janë eksterritorializuar, në emër të dasive etnike e fetare", thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)