Vetëvendosje paralajmëron protesta kundër ratifikimit
Prishtinë, 18 qershor - Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar ndërmarrjen e disa aksioneve, por edhe organizimin e demonstratave për të kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të rëndë dhe të keqe që nga shpallja e pavarësisë.
"Pas dakordimit më 19 prill 2013 me tekstin e marrëveshjes së dëmshme e cila Serbisë ia dha autonominë politike të veriut të Kosovës, e që i merr në Asociacion edhe komunat e Ahtisaarit me shumicë serbe në jug të Ibrit, Thaçi vazhdoi me koncesione shtesë ndaj Beogradit me planin e zbatimit për të cilin u dakordua me 22 maj 2013", ka thënë Kurti.
Aty zyrtarët e kësaj lëvizje kanë bërë të ditur se sonte në sheshet kryesore të 28 qyteteve do të organizohen aksione simbolike në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes.
Ndërkohë të enjten në ora 9 kur është planifikuar të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës, para ndërtesës së legjislativit, Vetëvendosje ka paralajmëruar të mbajë edhe një protestë, të thirrur si gjithëpopullore.
Albin Kurti ka deklaruar se kryeministri Thaçi po e dërgon marrëveshjen për ratifikim në Kuvend vetëm për ta shpërndarë fajin me LDK-në dhe AAK-në.
Arsyeja pse po e bjen për ratifikim këtë marrëveshje është për ta shpërnda fajin me LDK-në dhe AAK-në. Kurse është problem tjetër që ka gatishmëri për ta pranuar këtë shpërndarje faji. Por e vetmja arsye pse kjo marrëveshje po vjen në Kuvendin e Kosovës është për ta shpërnda fajin, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se kjo marrëveshje ka bërë tepër shumë dëme pasi qe sipas tij marrëveshja, Serbisë ia garanton kontrollin mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, legalizimin e strukturave të paligjshme e armiqësore si dhe ndarjen e një pjesë të gjyqësorit enkas për veriun.
Ndërkaq Dardan Molliqaj ka vlerësuar se ne qytetarët e Kosovës, shoqëria civile, deputetët të cilët nuk pajtohen me këtë, e kemi për detyrë qytetare e kombëtare për ta kundërshtuar fuqishëm një gjë të tillë për shkak se qysh e dimë të gjithë, tashmë kjo e rrezikon edhe shtetin edhe sovranitetin, edhe Kushtetutën, edhe interesin tonë ekonomik.
"Ne si subjekt politik, duke e ditur se jemi të obliguar dhe të detyruar ta kundërshtojmë këtë marrëveshje, do ta organizojmë një demonstratë në Prishtinë ditën që mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Pra të enjten ora 9:00, do të jetë demonstrata para Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar ratifikimin eventual të kësaj marrëveshjeje", ka theksuar Molliqaj.