Vetëvendosje: Marrëveshjet që e degradojnë shtetësinë e Kosovës
Prishtinë, 7 korrik - Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka bërë një sërë akuzash për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Hashim Thaçi, me çrast sipas drejtuesve të saj negociatat mes Kosovës e Serbisë po shërbejnë për degradimin e shtetësisë së Kosovës dhe se se tri marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë shkelin tërësisht sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Glauk Konjufca ka thënë se negociatat e nisura në Bruksel me Serbinë, i shërbejnë degradimit të shtetësisë së Kosovës në njërën anë, kurse në anën tjetër, i ndihmojnë Serbisë në paraqitjen e një imazhi të paqenë.
\"Me negociatat që po ndodhin Qeveria e Kosovës krejtësisht është vënë në funksion të agjendës së Serbisë për hyrje në BE si dhe për ruajtjen e pushtetit të saj brenda Kosovës përmes strukturave të paligjshme\", ka theksuar ai.
Ai i ndërlidh këto bisedime me vizitat e kreut të Qeverisë së Kosovës në Bruksel, me marrëveshjet që lidh Prishtina me Beogradi.
Hashim Thaçi tash e tutje mund të udhëtojë në Bruksel vetëm kur është në pyetje Beogradi. Afërsia e tij me Brukselin është e kushtëzuar me afërsinë e tij ndaj Beogradit. E, një njeri që i jep të gjitha për pushtet, sikur puna e kryeministrit, do ti thellojë marrëdhëniet me Brukselin vetëm në këtë mënyrë. Një darkë e Thaçit në Bruksel po na kushton 3 marrëveshje të dëmshme me Beogradin, ka thënë Konjufca.
Grupi negociator i Kosovës sipas tij i ka dhënë garanci se Serbisë nuk do ti preken strukturat e saj të paligjshme në Kosovë.
Glauk Konjufca edhe një herë ka mohuar të jetë sjellë teksti i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë thekson se mos transparenca totale e këtyre negociatave nuk është gjë tjetër veçse veprimi i kuptueshëm i fshehjes së përmbajtjeve të dëmshme të marrëveshjeve për Kosovën.