Vetëvendosje! kundër dialogut pa parime
Prishtinë, 8 korrik - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur sot me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe liderin e NISMËS për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se kjo lëvizje nuk është kundër dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se Vetëvendosje! nuk dëshiron dialog pa parime. Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por gjithsesi jemi kundër dialogut pa parime. Le të mos harrojmë që çdo dialog ka kushte, edhe dialogu që ka zhvilluar kryeministri në ikje dhe zëvendëskryeministrja në ikje është zhvilluar me kushte, por, me kushte të Serbisë.
Ne mendojmë që Kosova do të duhej ta ripozicionojë vetën e saj në funksion të subjektivitetit, shtet ndërtimit, dinjitetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, janë bërë përafrime të qëndrimeve të koalicionit LDK-AAK-NISMA. Në këtë kontekst Kurti ka shtuar se në takimet e radhës do të flasin për detaje, ku do të përfshihen edhe ekspertë të subjekteve të tyre politike.
Ky takim që u zhvillua sot, u zhvillua në një atmosferë mjaft konstruktive dhe po vazhdojmë me përafrimin e qëndrimeve tona, me çrast u dakorduam që takimet tona tash të jenë edhe më të shumta duke përfshirë edhe ekspertë profesionistë nga subjektet tona, drejt dakordimeve të ardhshme të cilat natyrisht që duhet të ndodhin para se të konstituohet Kuvendi, ka thënë Kurti.