Vetëvendosje: Kriminelët e klanit Pronto t'i heqim nga pushteti
Prishtinë, 16 gusht - Anëtarët e Kryesisë Donika Kadaj dhe Xhelal Sveçla në një konferencë të Lëvizjes Vetëvendosje! e ftuan prokurorinë që ti hetojë këto përgjime e aferës Pronto 2.
Ata poashtu, kritikuan heshtjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ndaj këtyre skandaleve, me ç\'rast i kërkuan LDK-së që të dalë nga koalicioni.
Ata u shprehën se kjo është skema e krimit që po udhëheq me Kosovën, të drejtuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
Në fjalën e tij, Xhelal Sveçla, e quajti shfaqje hipokrite nënshkrimin e memorandumit të djeshëm kundër nepotizmit nga Kadri Veseli, për parandalimin e punësimeve partiake e familjare.
\"Ne e dimë, siç e kemi ditur gjithmonë, që Kadri Veseli është kriminel dhe bashkë me dostin e tij Hashim Thaçin nuk do të reshtin së plaçkituri popullin tonë të varfër, deri sa të përballen me kundërshtim të fuqishëm gjithëpopullor\", theksoi Sveçla.
Sveçla përmendi edhe sekuencat e përgjimeve të publikuara sot, ku Shaip Muja kërcënon bashkëpartiakët e tij se do të ia bëjë publike aferat korruptive në lidhje me privatizimin e Ferronikelit. Ai theksoi se pikërisht ky organizim kriminal, duke verpuar në këtë mënyrë, e ka çuar vendin në varfëri e papunësi të skajshme.
Këto janë arsye, që këta që u pasuruan me djersën e gjakun e të varfërve, do të rrëzohen nga populli i Kosovës.
Ndërkohë, heshtja e LDK-së dhe e AAK-së është e pajustifikueshme.
\"Derisa përditë po dalin skandale shumë të rënda për Hashim Thaçin, Isa Mustafa në vend që të distancohet, po jep deklarata që \'Thaçi është president i shkëlqyer\'. Kjo është shumë e dhimbshme kur kemi parasysh që votuesit e LDK-së e mbështetën Isa Mustafën dhe LDK-në, pikërisht duke qenë se iu premtua lufta kundër klanit \'Pronto\'. Sot mjerisht, LDK-ja nuk nxjerr asnjë zë për këto afera kriminale. Ky qëndrim i LDK-së është në kundërshtim edhe me vullnetin e anëtarësisë së këtij subjekti\", tha deputetja Kadaj në fjalën e saj.
Tutje, ajo shtoi se edhe heshtja e AAK\'së është tregues i qartë i marrëveshjeve të fshehta të kësaj partie me PDK\'në, të cilat filluan që kur AAK filloi të heq vijat e kuqe për koalicion me këtë të dytën.
Në fund iu bë thirrje LDK-së që të prishë koalicionin me kriminelët që kanë shkatërruar gjithçka në Kosovë, ndërsa u kërkua nga AAK që të heq dorë nga marrëveshjet me po këta kriminelë.