Vetëvendosje: Koalicioni PDK- AKR, është kurorëzimi i hajnisë
Prishtinë, 25 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje përmes një aksioni, koalicionin qeverisës e ka quajtur martesa e Pacollit me Thaçin e cila sipas Vetëvendosjes shpreh lumturi për këta të dy por për popullin e Kosovës kjo martesë e simbolizon kurorëzimin e hajnisë.
Thaçi e Pacolli sipas Vetëvendosjes janë çift ideal për të negociuar me Serbinë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër negociatave me Serbinë dhe rrjedhimisht është edhe kundër koalicionit PDK-AKR kur dihet që ky koalicion do ti rifilloj këto negociata të cilat janë të padrejta dhe shumë të dëmshme për Kosovën.
Këto negociata që po përgatiten tani, janë negociata që do të përpiqen ta përfundojnë procesin e ndarjes së brendshme të Kosovës, projekt ky i cili, natyrisht, filloi me planin e Ahtisaarit që ne e patëm kundërshtuar edhe atëherë ndërsa të dyja këto parti e patën votuar në Kuvendin e Kosovës.
Arsye tjetër pse Vetëvendosje është kundër është se ky koalicion do ta vazhdoj procesin e privatizimit edhe të këtyre ndërmarrjeve publike që kanë mbetur. Pra, sipas kësaj lëvizje do ti shesin ndërmarrjet tona shpejt dhe lirë, dhe pa hartuar kurrfarë plani zhvillimor.
Ne angazhohemi që ti ndalim negociatat me Serbinë dhe privatizimin e ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha projektet e dëmshme që tenton t´ia bëjë kjo qeveri popullit të Kosovës. Këtë do ta bëjmë edhe përmes institucioneve edhe përmes aksioneve të tilla simbolike e demonstratave gjithë-popullore.