Vetëvendosje! kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Kurtit
Prishtinë, 19 prill - Në seancën e tetë me radhë të gjykimit të EULEX-it kundër Albin Kurtit, ashtu sikurse që pritej, avokati mbrojtës i caktuar në seancën e kaluar, Musa Dragusha, nuk u paraqit në seancë. Ne e përshëndesim aktin e tij, dhe u bëjmë thirrje të gjithë avokatëve që të veprojnë njëjtë.
Por përpara se kryesuesi i Panlit, de Mongeot, ta shtynte seancën, për herë të parë fjalën e mori prokurori i rastit, Ali Rexha. Ai tha se shtyrja e përsëritur pafund e këtij gjykimi është e pakuptimtë, prandaj kërkoi shtyrje të pacaktuar të këtij procesi gjyqësor. Po ashtu, Ali Rexha hodhi poshtë pikën e tretë të aktakuzës, aty ku Albin Kurti akuzohet për thirrje për rezistencë. Ai hodhi poshtë pikërisht atë pikë të aktakuzës, të cilën, përndryshe, vetë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje! e kanë pranuar me shumë krenari. Ne bëjmë thirrje të vazhdueshme për rezistencë kundër padrejtësisë, shtypjes, shitjes së Kosovës dhe ndarjes së saj.
Lëvizja Vetëvendosje! inkurajon Ali Rexhën që, ashtu sikurse e hodhi njërën prej tri akuzave, po në të njëjtën mënyrë ti hedh si të pambështetura edhe dy akuzat tjera atë e cila e akuzon Albin Kurtin për udhëheqje të masës e cila kinse ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm; si dhe akuzën e dytë sipas të cilës Albin Kurti ka paska penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre. Ne kemi shpjeguar vazhdimisht sesi më 10 shkurt 2007 rrezik ka shkaktuar policia e UNMIK-ut me vrasje e plagosje, kurse askush nuk ka mundur ti pengojë ata përderisa demonstruesit ishin paqësorë, kurse policët e UNMIK-ut të armatosur dhe plot vullnet për përdorimin e armëve. Nuk është çështja te hedhja e një akuze, por te padrejtësia e rastit si të tillë. Ky rast duhet të mbyllet, si dhe të fillojë hetimi i pavarur për vrasjet e 10 shkurtit 2007.
Ali Rexha sot bëri diçka që do të mund ta kishte bërë prej fillimit. Nëpërmjet veprimit të tij ai tregoi se ka kompetencën dhe mundësinë reale për hedhjen poshtë të të gjitha akuzave të pambështetura të EULEX-it kundër Albin Kurtit. Ali Rexha, pa ia kërkuar askush dhe fare pa nevojë, dënoi aksionin e Vetëvendosje!-s me vezë të prishura kundër Avni Gjakovës, dy seanca para kësaj të fundit. Por ai fare nuk e dënoi dhe as e përmendi trysninë e EULEX-it mbi avokatët e Kosovës, trysni kjo e cila nxiti reagimin e Vetëvendosje!s me vezë të prishura.
Pas fjalës së Ali Rexhës, de Mongeot filloi një breshëri akuzash kundër Policisë së Kosovës dhe avokatëve të vendit tonë, duke përdorur fjalët paaftësi dhe mungesë vullneti. Ai po ashtu kritikoi joefikasitetin e sistemit të drejtësisë, përgjegjësi kryesor për të cilin, pa kurrfarë dyshimi, është vetë EULEX-i.
Sa i përket Policisë së Kosovës Vetëvendosje!-a dënon fyerjet, poshtërimin dhe presionin e EULEX-it mbi të. Policia e Kosovës nuk ka si të jetë efikase për zbatimin e padrejtësisë. Efikasitetin e vërtetë të Policisë së Kosovës do ta shihnim po qe se do të thirreshin ata për arrestimin e ndonjë politikani të korruptuar apo shkelësit e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Kurse sa i përket avokatëve të Kosovës, po të ishte i drejtë gjyqi kundër Albin Kurtit, ata do të shtyheshin me njëri tjetrin dhe do të luftonin se cili ta merrte rastin. Por pikërisht meqë ky rast është kulmi i padrejtësisë dhe këtë e dinë jo vetëm avokatët, por i gjithë populli, krejt avokatët po e refuzojnë atë. Ata nuk po dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij gjykimi politik.
Seanca u shty për 28 prill, në orën 10:00. Kurse është lëshuar një fletarrest i ri kundër Albin Kurtit. EULEX-i qëllimisht po e shtynë procesin gjyqësor pafundësisht, ashtu që në vazhdimësi dhe përherë ta mbajë Albin Kurtin të izoluar dhe jashtë zhvillimeve politike, të cilave u duhet Lëvizja Vetëvendosje!.