Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Rexhepit
Prishtinë, 15 maj - Disa ditë pas protestave të përgjakshme para ndërtesave qeveritare, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë bilancin e përleshjeve me policinë e Kosovës për shkak të vizitës së Stefanovicit në Kosovë.
Në një konferencë për shtyp, Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi. Deputeti Glauk Konjufca nga zyrat e partisë ka thënë se me precedentët e krijuar kohëve të fundit, policia serish mund të drejtohet kundër qytetarëve që protestojnë lirshëm në rrugët e Kosovës.
Pas akuzave të Isa Mustafës kundër policisë, edhe Vetëvendosje ka akuzuar se në ditën e protestës kanë qenë të përfshirë militantë të PDK-së të cilët janë sjellë policë civilë.
\"Polici Kushtrim Haliti ka qenë komisionar i PDK-së gjatë zgjedhjeve të fundit\", ka thënë Konjufca. Në protestën e të enjtes mbetën të lënduar rreth 21 persona, përfshirë aktivistë të Vetëvendosjes dhe policë kosovarë.